Futboll

Statistikat impresive të Shaqirit që i ndalën kritikët

shaq

Të shtunën, Xherdan Shaqiri i ka mbushur plot një vit që kur u kthye te Baseli. Një kthim prapa për momentet më të mira, deklaratat më të fuqishme dhe statistikat impresive.

Të shtunën është bërë saktësisht një vit që kur Baseli e transferoi 33-vjeçarin Xherdan Shaqiri, duke e kompletuar njërin prej kthimeve pa dyshim më spektakolar në historinë e Superligës. Këto janë rekordet e Shaqirit për 365 ditët pas kthimit te Baseli, shkruan “Blick” të shtunën.

Momentet më të mira

Shaqiri katër ditë pasi nënshkroi sërish me fanellën e Baselit, u prezantua në ballkonin e selisë qendrore të Baselit. Afro 3000 shikues ishin mbledhur për ta pritur atë me duartrokitje e me fishekzjarrë.

Në fushë, Shaqiri e pati ndikimin e parë në mesin e muajit shtator kur hyri në lojë si zëvendësues në raundin e dytë të Kupës së Zvicrës kundër Nyonit. Në shtesën e vazhdimeve, ai e fitoi penalltinë dhe e realizoi vetë atë në minutën e 123-të. Ia siguroi Baselit kalimin në raundin tjetër. Ishte goli i tij i parë me Baselin në më shumë se 12 vjet. 

Në muajin nëntor, ai shënoi “hat-trick” kundër Servettes në fitoren 3:1, duke e ngjitur Baselin në krye të Superligës së Zvicrës për herë të parë në tre vjet. Kryevepra ishte në muajin maj, në udhëtim te Lugano në Ticino, kur shënoi tregolësh të përkryer brenda nëntë minutash, në fitoren 5:2. Me atë fitore, Baseli e siguroi titullin.

Statistikat impresive

Shaqiri i luajti 43 ndeshje që kur u kthye te Baseli. Nga 39 ndeshjet e edicionit të kaluar i realizoi 21 gola dhe pati 22 asistime. Dy gola e një asistim i ka realizuar në katër ndeshjet e para të këtij edicioni.

Në sezonin e kaluar ai shënoi dy herë nga tre gola dhe madje në një ndeshje i regjistroi tri asistime.

Me edicionin më të mirë në karrierën e tij, Shaqiri është dukshëm më meritori për titullin e Baselit në tetë vjet. 

Por nuk janë vetëm statistikat e tij impresive. Edhe forma fizike e Shaqirit është e jashtëzakonshme.

Që prej muajit shtator, ai ishte titullar në 40 prej 41 ndeshjeve.

Deklaratat më të fuqishme

“Ju e dini se ku duhet të jetë Baseli. Do të bëjmë çdo gjë që t’i sjellim trofe Baselit”, kishte deklaruar Shaqiri në prezantimin e tij. Fjalë të mëdha, marrë parasysh se Baseli luftonte për mbijetesë në sezonin paraprak. Por disa muaj ishin të mjaftueshëm që Shaqiri ta mbante premtimin. 

Në fund të muajit mars, trajneri i Winterthurit, Uli Forte, deklaroi pas humbjes 2:0 nga Baseli se “paraqitja mesatare” e Shaqirit, do të ishte e mjaftueshme për një gol dhe një asistim. Shaqiri ishte afër tij në intervistën për mediumin “Blue”, dhe iu kundërpërgjigj: “Mesatare? A ishte ajo vetëm mesatare?”. 

Pas sezonit përrallor, Shaqiri ka arritur gjithçka që tha para se të niste sezoni në verën e vitit të kaluar. Por largimi për momentin duket i pamundur. “Për momentin, asnjë shumë e parave nuk mund të më largojë nga Baseli”, kishte shpjeguar kapiteni disa javë më parë. “Ndihem komod këtu, mund ta shihni këtë edhe nga sezoni i kaluar”.

Kishte dyshues në heshtje

Pak ekspertë të futbollit besuan se Shaqiri do të mund të kishte kthim kaq impresiv në Zvicër. Trajneri aktual i tij, 46-vjeçari Ludovic Magnin, po ashtu foli haptazi dhe e pranoi: “Edhe pse i di aftësitë e tij, isha skeptik në atë kohë”. 

Mbi të gjitha, fakti që futbollisti me aftësi sulmuese luajti pak për Chicagon para se të kthehej te Baseli, e la trajnerin në dyshime. “Për këtë kisha pikëpyetje kur ai nënshkroi”, kishte thënë Magnin.

Sezoni i Shaqirit, megjithatë, tregoi edhe një herë tjetër se ata që janë në krye të Baselit, po i bëjnë gjërat si duhet. 

Një moment i Shaqirit ka mbetur në kujtim të Magninit. “E kam një gol në mendje. Është qesharake, madje kemi folur për atë edhe në kampin stërvitor”, thotë ai për golin nga distanca kundër Luganos në fitoren 5:2 në majin e kaluar. “Me një prekje, topi shkoi në kënd. Një gol që jo shumë lojtarë në Zvicër mund ta shënojnë – për të qenë më korrekt”, ka thënë Magnin.