Futboll

Spanja e fiton spektaklin me nëntë gola

Lamine Yamal - Spanja - Franca - Nations League

Foto: Associated Press

Spanja i është bashkuar Portugalisë në finalen e Ligës së Kombeve pas fitores ndaj Francës. 

Gjysmëfinalen e zhvilluar në “Stuttgart Arena” të enjten mbrëma, Spanja e fitoi me rezultatin 5:4. 
Në fushë pati një numër të madh të yjeve të futbollit, por vëmendja ishte te dy pretendentët për “Topin e Artë”, Ousmane Dembele dhe Lamine Yamal. Ceremonia e çmimit prestigjioz mbahet më 22 shtator në Paris.  

Por ishte futbollisti i Barcelonës, talenti Yamal, ai i cili e mori vëmendjen. 

Spanja krijoi epërsi të shpejtë prej dy golash brenda tre minutave. 
Në minutën e 22-të, për 1:0 realizoi Nico Williams, ndërsa Mikel Merino e dyfishoi rezultatin tre minuta më vonë. 

Futbollistit të ri të Real Madridit, Dean Huijsenit iu anulua një gol i minutës së 44-t për pozitë jashtë loje. 

Pjesa e dytë nisi furishëm nga spanjollët. Yamal shënoi për 3:0 në minutën e 54-t nga penalltia e fituar vetë, ndërsa vetëm një minutë më vonë, Pedri realizoi për 4:0. 

Kylian Mbappe nga ana tjetër nga penalltia po ashtu shënoi për 4:1, pas afro një ore lojë. 
Yamal realizoi tjetër gol në minutën e 67-të për 5:1. 

Franca u mundua të kthehej në lojë dhe realizoi dy herë. Një herë me supergolin e Ryan Cherkit në minutën e 79-të. Cherki e ndali topin dhe me vollej-gjuajtje e mposhti portierin Unai Simon. 
Dani Vivian gjashtë minuta para fundit realizoi autogol për 5:3. 

Cherki asistoi edhe në golin e katërt të Francës, që nuk arriti të bënte më shumë. Për 5:4 shënoi Randal Kolo Muani. 

Yamal ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Barcelonën e Spanjën. 

Ai ka dhënë kontribut në 76 gola, me gola e asistime të realizuara. 

Si 17-vjeçar është fitues i Kampionatit Evropian me Spanjën, ndërsa me Barcelonën e ka fituar La Ligan, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës. 

Në fakt ai i ka dy La Liga, pasi si 15-vjeçar luajti një ndeshje në edicionin 2022-23. 

Tani e ka rastin ta fitojë edhe Ligën e Kombeve me Spanjën, në finalen e 8 qershorit në Munich ndaj Portugalisë. Ndeshja nis në orën 21:00. 

Ndërkohë në stadiumin e Stuttgartit, Franca luan nga ora 15:00 me Gjermaninë, në ndeshjen për vend të tretë. 

Në gjysmëfinale, të dyja përfaqësueset arritën falë ekzekutimit të penalltive. 

Spanja e kishte eliminuar Holandën, ndërsa Franca kishte fituar ndaj Kroacisë. 
Portugalia në vitin 2019, Franca në vitin 2021 dhe Spanja në vitin 2023, janë fitueset e tri edicioneve të para të Ligës së Kombeve.

 

GOLAT
 

 

 

 

 

 

 

 

 


 Franca kthehet në lojë

 

Dani Vivian ka realizuar autogol dhe tani rezultati është 5:3 në të mirë të Spanjës. 

Vivian shënoi në portën e vet në minutën e 84-t.


Supergol i Cherkit

Ryan Cherki ka realizuar supergol për Francën. 

Ai e ndali topin dhe gjuajti menjëherë me vollej, duke e mposhtur portierin Unai Simon. 

Ndodhi kjo në minutën e 79-të. 

Spanja po udhëheq 5:2.


Edhe dy gola tjerë në Stuttgart

Spanja është duke fituar 5:1 ndaj Francës. 

Kylian Mbappe e ngushtoi rezultatin në 4:1 nga penalltia e realizuar në minutën e 59-të. 

Por ishte Yamal që shënoi tjetër gol për Spanjën për rezultatin 5:1, në minutën e 67-të.

 


Spanja po e deklason Francën

Spanja është thuajse në finale vetëm pritet fundi i ndeshjes dhe rezultati përfundimtar. 

Spanja është duke e deklasuar Francën në gjysmëfinalen e dytë të Ligës së Kombeve, 4:0. 
Ndeshja po luhet në stadiumin “Stuttgart Arena”. 

Nico Williams në minutën e 22-të, Mikel Merino në minutën e 25-të, Lamine Yamal në minutën e 54-t nga penalltia dhe Pedri një minutë më vonë, kanë realizuar për fituesen në fuqi të Kampionatit Evropian.