Futboll

Shaqiri, lojtari më i mirë i Baselit

Xherdan Shaqiri

Nuk është befasi. Xherdan Shaqiri është shpallur lojtari më i mirë i Baselit për edicionin 2024/2025. Ai e fitoi epitetin e lojtarit më të mirë të kampionit dhe fituesit të Kupës së Zvicrës në futboll, Baselit, me 66 për qind të votave. Baseli ka zgjedhur një mënyrë të veçantë t’i gëzojë shikuesit që kanë marrë pjesë në sondazh. Baseli ka vendosur t’i dhurojë 25 fanella me ngjyrë ari të vendosura në kornizë dhe të nënshkruara nga ylli dhe kapiteni i Baselit, Xherdan Shaqiri. Fanellat për shënimin e 131-vjetorit të themelimit të klubit, ishin shitur plotësisht.

Shaqiri 33-vjeçar u kthye te Baseli në gusht të vitit 2024, ndërsa udhëhoqi ekipin zviceran drejt titullit dhe Kupës zvicerane të futbollit.

Ai e mbylli edicionin 2024/2025 me 21 gola dhe 22 asistime në 39 ndeshje në Superligë dhe Kupë të Zvicrës.

Me Baselin ka kontratë deri në qershor të vitit 2027.