Futboll

Rosicky flet për Albion Rrahmanin

Albion Rrahmani

Foto: Pavel Mazac / Sport

Ish-futbollisti i njohur çek, Tomash Rosicky, është drejtor sportiv te Sparta Praga, ku aktivizohet sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani.

Rosicky ka folur pikërisht për Rrahmanin të premten, në një intervistë dhënë për faqen e klubit.

Rrahmani 25-vjeçar ka tetë gola e një asistim në 14 ndeshjet e këtij edicioni, ndërsa ekipit të njohur çek iu bashkua në verën e vitit të kaluar.

“Ai e ka pasur këtu një sezon. Ka kaluar në situata të rëndësishme të cilat nuk i ka përjetuar diku tjetër dhe mendoj se ato e kanë bërë më të fortë. Jemi ende në një fazë ku nevojitet ana fizike dhe agresive, por ai është i fortë. Sezonin e kaluar kemi pritur më shumë nga ai, e kemi parë potencialin, por ai duhet të vazhdojë. Mund ta shohim se klube nga top-pesë ligat janë interesuar për të. Megjithatë, nuk ka pasur asnjëherë debat nga asnjëra palë për largim të tij”, ka theksuar Rosicky.

Rrahmani është kthyer edhe në sulmues të rëndësishëm te Kosova.

Ai tashmë i ka zhvilluar 17 ndeshje, ndërsa ka realizuar pesë gola dhe dy asistime, përfshirë edhe ndeshjet miqësore.