Të premten në Basel, Zvicra e Kosova do ta kenë një tjetër përballje.
Helvetikët dhe “Dardanët” do të përballen në ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës 2026 në futboll.
Kapiteni Granit Xhaka do të jetë i padiskutueshëm te Zvicra. Xhaka flet rrjedhshëm gjuhën shqipe.
Mund ta kuptojë komunikimin që do ta kenë lojtarët e Kosovës në fushë gjatë ndeshjes. Por të kuptueshëm do të jenë edhe Xhaka me bashkëlojtarë.
Te Kosova janë të paktën dhjetë lojtarë e po ashtu edhe selektori Franco Foda që flasin gjuhën gjermane. Në listën aktuale të Kosovës dominojnë lojtarët që pos shqip flasin edhe gjermanisht, që është gjuha kryesore e shumicës së lojtarëve të Zvicrës.
Disa prej lojtarëve të Kosovës flasin gjermanisht pasi janë të lindur në Zvicër e disa nga e kaluara e tyre në klube gjermane, zvicerane e austriake.
Gjermanofolës te Kosova janë përzgjedhësi Foda, portierët Arijanet Muriq dhe Amir Shaipi, mbrojtësit Fidan Aliti e Leart Paçarada, mesfushorët Elvis Rexhbeçaj, Valon Berisha, Leon Avdullahu, Florent Muslija dhe sulmuesit Florian Haxha e Fisnik Asllani.
Avdullahu është lojtari i fundit që i është bashkuar Kosovës e që ka të kaluar te Zvicra. Avdullahu së fundi ishte kapiten i ekipit U21 të përfaqësueses helvetike. Edhe shumë të tjerë që kanë luajtur apo që aktualisht luajnë te Kosova, kanë qenë pjesë e grupmoshave të reja të Zvicrës.
Lista mund të ishte edhe më gjatë. Por Florent Hadërgjonaj u lëndua dhe nuk u grumbullua me Kosovën për ndeshjet kundër Zvicrës dhe Suedisë. Ndaj kësaj të fundit, Kosova luan më 8 shtator në Prishtinë.
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda ka thënë se njohin mirë anët e forta dhe të dobëta të Zvicrës.
“E njohim mirë Zvicrën, i njohim mirë pikat e forta dhe të dobëta të saj. Vendimtare do të jetë se si paraqitemi ne. Nëse paraqitemi si ekip, të bashkuar, dhe nëse i zbatojmë të gjitha detyrat në fushë mund të arrijmë fitore apo të paktën barazim”, ka thënë Foda të hënën në konferencë për media.