Futboll

Përfaqësuesja vazhdon përgatitjet, FFK-ja njofton për atmosferë “të shkëlqyer”

Përfaqësuesja e Kosovës

Me grup gati të kompletuar të lojtarëve, përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka zhvilluar seancën e dytë stërvitore në prag të ndeshjeve të fundit të Ligës së Kombeve. Për dallim nga e hëna kur në stërvitje ishin dhjetë lojtarë, të martën paradite ishin shumica.

Sipas njoftimit të FFK-së, kapiteni Amir Rrahmani kishte seancë rigjenerimi në hotel, ndërsa Mërgim Vojvoda mungoi shkaku i një shqetësimi të vogël në shpinë. Debutuesi, Leard Sadriu, ka vazhduar ushtrimet i ndarë nga grupi për shkak të lëndimit të gishtit të dorës në ndeshjen e fundit.

Sipas federatës, “atmosfera brenda ekipiet është e shkëlqyer”. FFK-ja njofton për përkushtim të madh të lojtarëve që të përgatiten maksimalisht për ndeshjet me Rumaninë dhe Lituaninë. Ndeshja e së premtes me Rumaninë në Bukuresht vendos për vendin e parë në grupin C2 të Ligës së Kombeve.

Për atmosferën në ekip ka folur edhe mbrojtësi Ilir Krasniqi.

“Atmosfera është fantastike. Djemtë janë të motivuar për ndeshjen e ardhshme që e kemi. E dimë që është ndeshje mjaft e rëndësishme. Të gjithë po bëjmë maksimumin që të përgatitemi sa më mirë dhe shpresojmë se do të kemi rezultat pozitiv”, ka thënë Krasniqi, që bën karrierë në Ukrainë.

Kosova është në seri prej tri fitoreve, por ndaj autsajdereve të grupit, Qipros e Lituanisë. Rumania është tjetër nivel.

“Këto rezultate pozitive janë edhe si rrjedhojë e atmosferës së mirë në ekip. Lojtarët janë të motivuar pasi kemi tri fitore rresht. Besojmë se do të vazhdojmë këtë seri. E dimë se kundërshtari është i vështirë, por besoj që me grupin që kemi do të bëjmë rezultat të mirë”, ka shtuar Krasniqi.

Në përfaqësuese është kthyer sulmuesi i krahut, Zymer Bytyqi.

“Jam shumë i lumtur që jam ftuar sërish. Më ka munguar Kombëtarja, që nuk isha me djemtë. Është si një fillim i ri. Ka plot lojtarë të rinj që gëzohem se i njoftoj. Rëndësia e ndeshjes është shumë e madhe. Do të japim maksimumin dhe se do të marrim rezultatin që na mundëson të fitojmë grupin”, ka thënë Bytyqi.

Seanca e radhës stërvitore është të mërkurën paradite.