Futboll

Pas humbjes së katërt rresht pronari i kampionit rumun ka tjetër mendim: A ju dukem idiot?

FCSB,

Kundërshtari i Dritës në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, kampioni rumun FCSB, nuk po kalon formë të mirë. Klubi i madh rumun të shtunën mbrëma e pësoi humbjen e katërt rresht. U mposht 4:3 nga Dinamo Bukureshti në derbin e xhiros së katërt të Superligës rumune.

Të “mbrapshtën” kampionit rumun ia dha Shkëndija e Tetovës. E mposht 1:0 në Shkup më 22 korrik në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Më 26 korrik FSCB-ja pësoi 2:1 nga Farul Contanta në xhiron e tretë të elitës rumune.

Shkëndija fitoi 2:1 në “Arena Nationala” në Bukuresht më 30 korrik dhe bëri vend në raundin e tretë kualifikues të Championsit. Ndërkohë FSCB-ja u zhvendos në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Ndeshja e parë me Dritën është të enjten mbrëma në Bukuresht.

Por humbja e së shtunës ka dëshmuar që klubi kampion i Rumanisë nuk është në momentin më të mirë.

Pronari i FCSB-së, Gigi Becali pas eliminimit nga Shkëndija kishte thënë se janë mposhtur nga një klub i Divizionit C dhe se duhet të largohen nga futbolli nëse i eliminon Drita.

Becali sërish ka folur për mediat rumune. Ndër të tjera është pyetur nëse do ta largojë trajnerin dhe shtabin teknik. Becali ka thënë se është i shokuar nga ajo që po i ndodhë klubit të tij dhe se këtë nuk e ka përjetuar për 25 vjet.

“Nuk po kuptoj, kjo nuk më ka ndodhur për 25 vjet. Pikërisht pasi nuk po kuptoj, më duhet të jem me lojtarët. Nuk e kritikoj më askënd. Nëse do të ishte një ndeshje apo dy, në rregull. Por tani është moment kritik dhe unë duhet të jem me ta. Është gjë mentale, fizikisht lojtarët nuk kanë arsye të mos jenë mirë. Ata thonë se nuk kanë pasur kurrë stërvitje të mira si tani. Mentalisht nuk janë mirë. Nuk po shfaqemi, nuk po ofrojmë zgjedhje me pasime. Mendoj se është bllokadë mentale”, ka thënë Becali, i njohur edhe si figurë kundërthënëse në Rumani.

Ai më herët kritikoi ashpër lojtarët, por tani është shfaqur më i rezervuar.

“A duhet të fajësoj stafin? A jam unë idiot? A nuk kemi fituar 16 milionë vitin e kaluar me këtë staf. Mendimi im është se nuk është stafi që duhet ta nxjerrë ekipin nga kriza, janë lojtarët. Stafi po bën punë të mirë në stërvitje, që e bëri edhe vitin e kaluar kur kemi garuar me gjithë Evropën. Por lojtarët ende duhet të rikuperohen, të jenë më të fokusuar”, ka theksuar Becali për “Prima Sport 1”.

Ai ka thënë se tani i frikësohet secilës ndeshje, “për shkak të mënyrës se si luan skuadra”. Ka theksuar se është i brengosur për shkak se skuadra ka ngecur. Tani Becali nuk e fyen Dritën. Nuk e sheh të sigurt fitoren ndaj kampiones së Kosovës.

“Le të shohim nëse do t’ia dalim të kualifikohemi në plejof këtë vit. Në vitet e kaluara kisha kurajë. Aktualisht jam i brengosur. Ne kemi ngecur”.

Në kupa kontinentale plejofi vjen pas raundi të tretë kualifikues.

Për ndeshjen e së enjtes me Dritën foli mbrojtësi me përvojë i FCSB-së, Risto Radunoviq. 33-vjeçari nga Mali i Zi pret ndeshje të vështirë.

“Kemi ndeshje shumë të vështirë të enjten, me një ekip të ngjashëm me Shkëndijën, të organizuar mirë në aspektin defanziv. Do të japim çdo gjë për ta fituar ndeshjen e parë dhe që të kemi avantazh për ndeshjen e kthimit. Duhet ta marrim ndeshjen seriozisht dhe të provojmë të rikuprohemi”, ka thënë Radunoviq për “Digi Sport”.