Futboll

Pas humbjes, Llapi reagon ndaj gjyqtarëve: Vendim i porositur

Llapi - Gjilani

Reagim të gjatë ka bërë Llapi të dielën, pas disfatës së thellë në udhëtim te Gjilani, në ndeshjen e xhiros së 16-të të elitës së futbollit kosovar.

Llapi u mposht me rezultatin 3:0. Për skuadrën e trajnerit Tahir Batatina ishte humbja e dytë rresht. 
Llapi nga minuta e gjashtë luajti pa sulmuesin Axel Gnapi, që u ndëshkua direkt me karton të kuq pas duelit që e pati me portierin e Gjilanit, Vokli Laroshi. 

Laroshi u zëvendësua me Aridon Bllacën, ndërsa gjendja e tij është stabile, ka njoftuar klubi gjilanas. Edhe kapiteni i Llapit, Gnapi, shpëtoi pa ndonjë lëndim në duelin e rrezikshëm.  

Reagimi i Llapit ka të bëjë pikërisht me këtë episod të ndeshjes. Klubi llapjan pretendon se gjyqtari Egzon Dakaj ka bërë gjykim tendencioz. 

“KF Llapi reagon ashpër ndaj gjykimit të njëanshëm dhe tendencioz të gjyqtarit kryesor Egzon Dakaj në ndeshjen e sotme Gjilani – Llapi, gjykim që cenoi rëndë integritetin e garës dhe ndikoi drejtpërdrejtë në rezultatin përfundimtar. Prej fillimit të sezonit 2025/26 kemi qëndruar të heshtur, edhe kur kemi qenë të dëmtuar, si në rastin ndaj Dritës, kur Axel Gnapi bie pa ndjenja në tokë dhe futbollisti kundërshtar nuk u ndëshkua as me karton të verdhë, duke i marrë situatat si gabime njerëzore. Por ajo që ndodhi sot ishte e qëllimshme, e përsëritur dhe e papranueshme”, ka shkruar Llapi. 

Ky klub pretendon se Gnapi nuk e meritoi kartonin e kuq, e madje as kartonin e verdhë. 

“Ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është fakti se gjyqtari nuk mori vendim menjëherë, siç e kërkojnë rregullat, por pesë minuta më vonë, sikur të kishte marrë sinjale nga jashtë. Kjo e bën kartonin e kuq të duket si vendim i porositur dhe jo si autoritet i Egzon Dakajt në momentin e aksionit. Edhe te goli i dytë i vendasve, gjyqtari Egzon Dakaj doli sërish në qendër të vëmendjes sepse ndërhyrja ndaj futbollistit të Gjilanit nuk ka qenë faull. Loja duhej të vazhdonte normalisht, por ai ndërhyri duke akorduar një faull të paqenë, nga i cili më pas u zhvillua aksioni që përfundoi me gol”, ka shkruar tutje Llapi. 

Llapi ka përmendur edhe një rast të para dy vjetëve, në ndeshje me Gjilanin. 

“I njëjti gjyqtar u delegua dhe me vendimet e tij ndikoi drejtpërdrejtë që Llapi të mos fitonte atë takim, duke prishur rrjedhën e garës për titull. Sot, historia u përsërit me të njëjtin skenar dhe të njëjtin person në qendër të vëmendjes”.

Llapi ka kërkuar që të hapet procedurë disiplinore nga Komisioni i Gjyqtarëve ndaj gjyqtarit Egzon Dakaj dhe të merren masa ndaj tij, për, siç thotë klubi podujevas, “mbrojtjen e integritetit të garës”. 
Llapi pas humbjes nga Gjilani ka mbetur në vendin e shtatë me 20 pikë, dy më pak se Gjilani.