Futboll

Në Itali shkruajnë se Zhegrova është një hap larg Napolit

Edon Zhegrova

Sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, është një hap larg transferimit te kampioni i ri i Italisë, Napoli. Kështu është bërë e ditur të mërkurën nga “Radio Kiss Kiss Napoli”. Siç njofton mediumi italian i afërt me klubin e Napolit, kanë mbetur detajet e fundit për t’u finalizuar transferimi nga Lille. 

“Sipas stafit të 'Radio Kiss Kiss Napoli', pati një zbulim konfidencial nga vetë Zhegrova për një menaxher gjatë një takimi në një restorant italian në Lille: ‘Jam një hap larg Napolit. Menaxherët e mi po vendosin detajet e fundit’”, shkruan sajti italian.  

Lille kërkon 20 milionë euro për ta liruar sulmuesin e krahut. Zhegrova i ka munguar Lillet që nga dhjetori për shkak të një lëndimi.

Krahas Napolit, interesim për Zhegrovën kanë shprehur edhe disa klube të tjera.

Para se të lëndohej Zhegrova, 26-vjeçar, shënoi tetë gola dhe asistoi dy herë në 21 ndeshje.

Ai me skuadrën e Lillet ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm. Ka refuzuar vazhdimin e kontratës.