Futboll

Muriqi mund t’i bashkohet Rashicës e Muçit te Beshiktashi

Vedat Muriqi

Skuadra e Beshiktashit ka filluar përpjekjet për transferimin e qendërsulmuesit të Mallorcas, Vedat Muriqi.

Mediumet turke kanë raportuar të martën se Muriqi është në listën e transferimeve të Beshiktashit.

Gjiganti turk po planifikon të bëjë ndryshime të mëdha në skuadër për edicionin e ardhshëm. Dy sulmuesit, Semih Kiliçsoy dhe Ciro Immobile pritet t’i ndajnë rrugët me Beshiktashin. Immobile ishte sulmuesi kryesor i Beshiktashit edicionin e kaluar.

Loja e fortë në ajër dhe fuqia fizike e Muriqit vlerësohet se i përshtaten stilit të lojës së Beshiktashit.

Reprezentuesi i Kosovës, Muriqi, në rast të transferimit te Beshiktashi do të bëhet bashkëlojtar me Milot Rashicën dhe Ernest Muçin.

31-vjeçari Muriqi ka luajtur në të kaluarën në Turqi për Fenerbahçen, Rizesporin, Genclerbirligin dhe Giresunsporin.

Muriqi pjesë e Mallorcas është nga viti 2022.