Futboll

Mitrovica e Onbashit, skuadra e vetme e tri ligave me të gjitha fitore

KF Mitrovica

Seria e fitoreve e skuadrës të futbollit Mitrovica, ka marrë goxha vëmendje. 

Ekipi i drejtuar nga trajneri Seid Onbashi ka shtatë fitore në po aq ndeshje.  Mitrovica është skuadra e vetme në tri ligat kryesore të futbollit kosovar që i ka fituar të gjitha ndeshjet e edicionit 2025/2026. 
Mitrovica garon në Ligën e Dytë, por po marshon drejt Ligës së Parë.

Trajneri Onbashi ka numëruar shumë faktorë që kanë ndikuar në rezultatet pozitive.

“Ecuri shumë e mirë për ne. Unë kam mentalitet fitues dhe me stafin kemi arritur ta fusim këtë edhe tek ekipi. Kemi punuar dhe po punojmë shumë. Kemi një ekip me lojtarë shumë cilësorë. Kemi lojtarë me përvojë dhe lojtarë të rinj, por edhe lojtarë kualitativë nga Afrika që po na ndihmojnë shumë. Ne si staf jemi bazuar në grup dhe jo në individë. Kjo edhe po na shpaguhet. Kemi kushte të mira, djem të mirë që e duan punën, paguhemi me rregull dhe kur i mbledhim të gjitha këto, suksesi nuk mungon”, ka thënë Onbashi për KOHËN, të mërkurën.

Seria prej shtatë fitoresh nuk është vetëm statistikë, por rezultat i punës, organizimit dhe mentalitetit fitues që ka Mitrovica, thotë Onbashi. Ai ka drejtuar me shumë sukses edhe skuadrën e futbollisteve Mitrovica. Ka fituar shumë tituj e kupa e po ashtu arriti ecurinë më të mirë të deritashme në Championsin e futbollisteve. 

Titullin e kampionit të Kosovës e fitoi edhe me ekipin U19 të Trepçës ’89.

Mitrovica e arriti të mërkurën pasdite fitoren e shtatë. Mposhti skuadrën Kosova VR me rezultatin 1:0. Golin e fitores së shtatë rresht, Mitrovica e shënoi në minutën e 97-të.

Onbashi beson se rezultatet pozitive nuk do të mungojnë edhe në xhirot e ardhshme.

“Besoj se do të vazhdojë gjatë kjo seri. Do të mundohemi të mos humbim deri në fund edhe pse do të jetë e vështirë. Por ne jemi të përgatitur të fitojmë dhe do të luftojmë në çdo ndeshje”, ka thënë tekniku mitrovicas.

Ai vlerësohet prej trajnerëve më perspektiv në futbollin kosovar. Karrierë të suksesshme kishte edhe si futbollist.