Futboll

Luka Modriq largohet nga Real Madridi pas Kupës së Botës për klube

Luka Modriq

Real Madridi dhe mesfushori Luka Modriq, lojtari me më së shumti trofe në histori, kanë rënë dakord të ndahen pas Kupës së Botës për klube.

Modriq 39-vjeçar, do të largohet pas një “kohe të paharrueshme si lojtar në klubin tonë”, shkruan Real Madridi të enjten.

“Real Madrid dëshiron të shprehë mirënjohjen dhe vlerësimin e tij të madh për një lojtar që është bërë një legjendë e vërtetë si për klubin tonë ashtu edhe për futbollin botëror”.

Modriq iu bashkua Madridit në vitin 2012 dhe u bë një lojtar kyç gjatë njërës prej periudhave më të suksesshme në historinë e klubit.

Në 13 sezone, Modriq ndihmoi klubin të fitonte 28 tituj – gjashtë Liga të Kampionëve, gjashtë Kupa të Botës për klube, pesë Superkupa të Evropës, katër tituj të kampionit, dy Kupa të Mbretit dhe pesë Superkupa të Spanjës.

Ai kishte më pak minutazhë në sezonet e fundit nën drejtimin e trajnerit Carlo Ancelotti.

Kupa e Botës për Klube fillon në mesin e qershorit dhe mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madridi di t’i organizojë ceremoni përshëndetëse Modriqit në ndeshjen e fundit të sezonit të shtunën kundër Real Sociedadit në La Liga. Ndeshja luhet në stadiumin “Santiago Bernabeu”.

“Luka Modriq do të mbetet përgjithmonë në zemrat e të gjithë madrilenëve si një futbollist unik dhe shembullor që gjithmonë ka mishëruar vlerat e Real Madridit”, tha presidenti i klubit, Florentino Perez. “Futbolli të cilin e ka luajtur, ka magjepsur madrilenët dhe tifozët në të gjithë botën. Trashëgimia e tij do të jetojë përgjithmonë”.

Modriqi ka 590 paraqitje për Madridin. Është i teti për sa i përket paraqitjeve në histori të klubit. Ai ka edhe 43 gola.

Ai është një nga vetëm pesë lojtarët që kanë fituar gjashtë Liga të Kampionëve.

Në vitin 2018, Moadriqi fitoi “Topin e Artë”, u shpall lojtari më i mirë i FIFA-s dhe lojtari i vitit nga UEFA. Dy herë është shpallur mesfushori më i mirë në Ligën e Kampionëve.

186 ndeshjet e Modriqit për Kroacinë e bëjnë atë rekordmen për paraqitje ndërkombëtare.

Ai fitoi Topin e Artë pas përfundimit të Kupës së Botës 2018 në Rusi, ku Kroacia humbi finalen nga Franca, si dhe medaljen e bronztë në Kupën e Botës 2022 në Katar.