Futboll

Legjenda e Baselit flet për Jasharin

Ardon Jashari

Ardon Jashari u transferua me bujë te Milani javë më parë, por nuk do të luajë në garat evropiane në këtë edicion. 

Eksperti i mediumit “Blue”, legjendë e klubit të Baselit, Marco Streller, ka thënë se kjo është gjë negative, por megjithatë, e konsideron kalimin e tij te Milani, të duhur. 

Jashari që luan si mesfushor, u largua vitin e kaluar nga Luzerni dhe u transferua në Belgjikë te Club Brugge. Ai shkëlqeu me klubin belg në ligë dhe në Ligën e Kampionëve. 

Pas një sezoni, 23-vjeçari e siguroi transferimin te Milani për 36 milionë euro. 

“Edhe unë do ta bëja të njëjtin hap. Jashari është shembull i mirë se si të planifikohet karriera. Kjo është gjë e madhe”, ka deklaruar Streller. 

Milani e mbylli sezonin e kaluar në vendin e tetë në Serie A dhe nuk arriti të sigurojë garat evropiane.

“Rossonerët” synojnë që në këtë edicion të Serie A të kenë suksese, për t’u kthyer në “Champions”. 

Ndeshja e parë për Jasharin dhe Milanin në ligë do të jetë të shtunën e ardhshme ndaj Cremoneses.