Futboll

Juventus – Inter, derbi i Serie A

Juventus

Të shtunën nga ora 18:00 luhet derbi i madh italian ndërmjet Juventusit dhe Interit.

Kjo ndeshje i takon xhiros së tretë të Serie A.

Kishte shpresë që Edon Zhegrova do të paraqitej për Juventusin në derbi. Ai u transferua te Juve në ditën e fundit të afatit kalimtar veror, por nuk është ende gati për debutim.

“Zonja e Vjetër” është e pamposhtur në dhjetë nga 11 ndeshjet e fundit në shtëpi në Serie A ndaj Interit.

Juventusi ka shënuar gola në katër nga pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

Skuadra e Igor Tudorit e ka nisur edicionin në mënyrë më të mirë të mundshme, duke regjistruar dy fitore të njëpasnjëshme pa pësuar gol në elitën italiane.

Nënkampioni Inter xhiron e kaluar u mposht në shtëpi nga Udinese me rezultatin 2:1. Në ndeshjen hapëse të edicionit fitoi thellë, 5:0, ndaj Torinos.

Te “nerazzurrët” pritet të debutojë mbrojtësi zviceran, Manuel Akanji.

Të shtunën nga ora 20:45 luan kampioni italian, Napoli. Takohet në udhëtim me Fiorentinën. Napolitanëve do t’u mungojë Amir Rrahmani.

Xhiroja e tretë vazhdon të dielën me ndeshje të tjera interesante.

Nga ora 12:30, Roma e pret Torinon. Milani nga ora 20:45 përballet me Bolognan. Dy ndeshje janë të hënën.