Futboll

Jupi thotë se nuk ka nevojë për 2500 policë

Redi Jupi

Ish-futbollisti i Shqipërisë, Redi Jupi, vlerëson se nuk ka nevojë që për ndeshjen Shqipëri – Serbi të angazhohen 2500 policë.

Jupi, që e kryen detyrën e analistit në Tiranë, ka dhënë një intervistë për mediumin serb, Sportklub.
Ai u ka dëshiruar mirëseardhje mysafirëve nga Serbia. Ka thënë se ndeshja është shumë e vështirë. Sipas Jupit, në aspektin teknik Serbia ka ekip pak më të mirë, i ka disa lojtarë më të mirë dhe më në formë.

“Por ne duhet të luftojmë, të jemi të mençur dhe të marrim maksimumin e asaj që ofrohet. Nuk do të jetë lehtë”, ka thënë Redi Jupi, që ka bërë karrierë në disa ekipe të Shqipërisë, por edhe në Kroaci e Turqi.

Ai ka pranuar se nuk bëhet fjalë për ndeshje të zakonshme.

“Është ndeshje me plot emocione, plot histori, jo histori sportive por politike dhe nuk do të jetë lehtë për lojtarët. Sidomos për lojtarët tanë, që të jetë jashtë kësaj. Por shpresoj se do t’ia dalin. Shpresoj se do të qetësohen gjithë ato gjëra rreth Kosovës dhe Serbisë, rreth Shqipërisë dhe Seribsë dhe si është parë, të gjithë mysafirët nga Serbia janë pritur mirë këtu”, ka thënë Jupi, shkruan Sportklub.

Për ndeshjen e kaluar në Beograd ka thënë se ishte çdo gjë pos një ndeshjeje normale. Tifozët serbë, opinioni serb nuk janë sjellë ashtu si është dashur, por nuk dua të flas shumë për këtë. Shpresoj që të gjithë lojtarët, sidomos ata me prejardhje nga Kosova, do të luajnë pa ato mendime në kokë”.

Jupi thotë se të gjithë duhet të mendojnë për pikët që duhet të fitohen. 

Ai ka vlerësuar se autoritetet e kanë tepruar me masa të sigurisë.

“Shpresoj se nuk do të ketë probleme në stadium, por nuk jam i kënaqur me masat që po i marrin qeveria dhe policia. Kam dëgjuar se do të jenë 2500 policë specialë në stadium, që sërish rrugët do të bllokohen, kjo është e tepërt. Nuk më pëlqen kur politika është e pranishme në sport, e këtu kjo shihet qartë. Policia duhet të jetë prezentë, por jo që të gjithë ta shohim. Për një ndeshje futbollit 2500 policë është e tepruar. Kam dëgjuar që ekipi serb ka ndryshuar hotelin dhe kjo nuk është mirë për këtë ndeshje”, ka thënë Jupi.

Ai ka treguar që përfaqësueset tjera kanë zgjedhur stadiumin që është në kuadër të stadiumit dhe kjo e bën më të lehtë organizimin e ndeshjes. Thotë se po të qëndronin serbët në atë stadium do të mund të shkonin në këmbë në stërvitje dhe nuk do të kishte nevojë për këto masa shtesë. Ai shpreson që mos të ketë probleme, por thotë se nuk i dihet.