Futboll

Jashari flet për synimet me Milanin, Messin, Modriqin, Baggion e Pirlon

Ardon Jashari

Ardon Jashari zbulon se bashkimi me Milanin është “një ëndërr fëmijërie e bërë realitet” dhe se i kishte refuzuar të gjitha ofertat e tjera.

“Është një ndjenjë e mrekullueshme të jem këtu. Më në fund jam këtu dhe jam vërtet shumë krenar që jam pjesë e këtij klubi futbolli”, tha ai për faqen zyrtare të Milanit.

“Dua ta çoj klubin aty ku i takon, të fitoj tituj, të fitoj ndeshje dhe për këtë do të jap gjithçka”.

Nuk është sekret që klubet e tjera ishin të gatshme të paguanin më shumë sa i përket tarifës së transferimit ashtu edhe pagës së tij. Por Jashari e kishte zemrën të vendosur vetëm te kuqezinjtë dhe e refuzoi çdo klub tjetër të interesuar.

“Kur AC Milan u interesua për mua, para së gjithash isha krenar. Ishte projekti që doja ta ndërmerrja së bashku me familjen time. Kur vendosa se doja të bashkohesha me AC Milan, e dhashë fjalën time”. 

“Ishte gjithashtu një ëndërr e fëmijërisë, gjithmonë ishte në rrethin tim të miqve dhe familjes, klubi gjithmonë kujtohej në familjen tonë, kështu që është një ëndërr e bërë realitet”.

Dashuria për Milanin i ishte shfaqur nga një vizitë si fëmijë në San Siro për ta parë një ndeshje.

Jashari është një mesfushor i gjithanshëm, që mund të kontribuojë si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, duke i sjellë diçka ndryshe skuadrës së Max Allegrit.

“Do ta ndihmoj ekipin në sulm, por edhe në mbrojtje, dhe do të përpiqem ta jap pasimin e fundit për të shënuar shumë gola. Mendoj se këto janë pikat kryesore ku mund ta ndihmoj ekipin”.

Duke qenë tifoz i Milanit që nga fëmijëria, cilët janë lojtarët e së kaluarës që ai i admironte më shumë?

“Roberto Baggio dhe Andrea Pirlo janë lojtarët e preferuar. Mënyra e lojës, por edhe pasimi i fundit, kreativiteti, kjo është ajo që përpiqem ta bëj në stilin tim të lojës”.

Tani Jashari do të jetë shok skuadre me legjendën Luka Modriq, i cili mbërriti si lojtar i lirë pas më shumë se një dekade në Real Madrid.

“Është një ndjenjë e mrekullueshme që ai është gjithashtu pjesë e kësaj skuadre. Ta filloj epokën time këtu me një lojtar kaq të mrekullueshëm, që arriti kaq shumë gjëra të mëdha në historinë e futbollit.

Kjo vetëm mund të më ndihmoj, dua ta dëgjoj atë, si është dhe gjithë përvojën e tij, në fushë, por edhe jashtë saj”, ka theksuar Jashari.

Jashari e zgjodhi fanellën me numër 30 dhe kur e shikon emrin e tij në fanellën e Milanit ende i dridhet trupi.

“Ta them të drejtën, është vërtet e vështirë ta përshkruaj me fjalë. Është thjesht një ndjenjë e mrekullueshme, është e pabesueshme që jam pjesë e këtij klubi të mrekullueshëm. Ajo që dua të arrij me këtë klub është të jap pjesën time dhe ta çoj këtë klub aty ku i takon. Do të jap gjithçka për ta bërë përsëri të madh”, shpjegoi lojtari i Zvicrës.

“Fillova me numrin 30 në klubin tim të akademisë dhe e zgjodha, sepse më pëlqen të shoh Lionel Messin dhe lojtarë të tjerë. Pashë që numri 30 ishte i lirë dhe e dija që ai filloi me këtë numër. Më solli fat në Zvicër dhe Belgjikë, kështu që shpresoj se do të më sjellë fat edhe këtu”, ka thënë Jashari.