Me fitoren kundër Udineses, të hënën, Interi i është afruar edhe më shumë titullit në elitën e futbollit italian.
Interi është një hap larg titullit të 20-të në histori, e që mund të sigurohet në derbin milanez.
Interi fillimisht të dielën nga ora 20:45 takohet me Cagliarin në “Giuseppe Meazza”, në kuadër të xhiros së 32-të.
Ndërkohë, Milani udhëton te Sassuolo po të dielën, në ndeshjen që nis në orën 15:00.
Interi është i pari me 82 pikë, ndërsa Milani ka 68 pikë në vendin e dytë.
Pra diferenca e pikëve është 14.
Nëse kjo diferencë mbahet edhe këtë javë nga “nerazzurrët”, Interi do të mund të festonte para tifozëve të Milanit, në fundjavën e ardhshme kur zhvillohet derbi Milan – Inter.
Deri në fund të edicionit kanë mbetur edhe shtatë xhiro.
Interi dhe Milani kanë nga 19 tituj.
Juventusi në këtë fundjavë do të zhvillojë po ashtu ndeshje të vështirë.
Të shtunën nga ora 18:00 e luan derbin me rivalin lokal, Torino.
Juventusi synon fitore pasi kërkon kualifikimin në Champions në edicionin tjetër.
Juventusi është i treti me 62 pikë, kurse Torino ka 44 pikë në vendin e nëntë.
Bologna e Roma po luftojnë për vendin e katërt dhe të fundit që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Bologna të shtunën në mbrëmje e pret Monzan, kurse Roma udhëton tek Udinese të dielën pasdite.
Kampioni në fuqi i Italisë, Napoli, të dielën në mesditë e pret Frosinonen.