Trajneri Adrian Iencsi ka folur fjalë të mëdha për sulmuesin e Kosovës, Albion Rrahmanin, ndërsa ka theksuar se rrallë sheh sulmues si ai.
Rrahmani u largua nga Rapidi i Bukureshtit në verën e vitit 2024 dhe u transferua te Sparta e Pragës.
Por, 24-vjeçari mund të kthehet në elitën e futbollit të Rumanisë, pikërisht te Rapidi.
Mediumet në Rumani kanë shkruar të mërkurën se ai mund të jetë “bomba” e afatit kalimtar veror.
“Do të doja që Rrahmani të kthehej te Rapidi. Ai është sulmues i jashtëzakonshëm. Rrallë kam parë sulmues si ai, kaq të shkathët, depërtues, teknikë dhe ekzekutim të topit me të dyja këmbët. Ai është i paparashikueshëm. Ka çdo gjë që duhet të ketë një sulmues. Shënon edhe me kokë dhe ka vendosje të mirë para portës. Do të isha shumë i lumtur nëse ai do të kthehej”, ka deklaruar trajneri Iencsi për “Prosport.ro” të mërkurën.
Iencsi aktualisht është pa skuadër, ndërsa ka udhëhequr disa ekipe rumune.
Me Rapidin e Bukureshtit, Rrahmani i luajti 29 ndeshje dhe i pati 18 gola të shënuar e gjashtë asistime.
Te Sparta e Pragës ka nëntë gola e dy asistime në 31 paraqitjet e edicionit aktual në të gjitha garat.