Futboll

Goli ndaj Atletico Madridi konfirmon formën jetësore të Muriqit

Vedat Muriqi

Ndonëse me një lojtar më pak në fushë, Atletico Madridi po shkonte drejt fitores në ndeshjen ndaj Mallorcas. Skuadra e Diego Simeones shënoi për 1:0 në minutën e 79-të, derisa mbeti me një lojtar më pak në minutën e 72-të.

Gjërat po vështirësoheshin për Mallorcan, por shpëtimtari Vedat Muriqi ishte aty. Pas një krosimi, Muriqi u shkëput në zonë dhe goditi bukur. Topi përfundoi në rrjetë për 1:1. Ishte minuta e 85-të e ndeshjes së luajtur të dielën, e që i takon xhiros së pestë të La Ligas.

Një pikë ndaj Atletico Madridit asnjëherë nuk është pak për skuadra si Mallorca.
Këtë sulmuesi kosovar e di mirë. 

“Të marrësh pikë ndaj një ekipi si Atletico Madridi është gjithmonë mirë, por kur vjen pas një serie jo të mirë, lë shije të keqe. Ne kemi pritur fitoren, kishim shanse, por nuk ia arritëm. Barazimi nuk është mjaftueshëm kur e sheh ndeshjen në detaje. Por, të marrësh pikë është përsëri më mirë sesa humbja”, ka thënë Muriqi për faqen zyrtare të Mallorcas. 

Ai ka shënuar për herë të tretë në ndeshjet e La Ligas ndaj Atleticos. Së pari kishte shënuar më 9 prill të vitit 2022, e për herë të dytë më 9 nëntor të vitit të njëjtë.

Muriqi e ka nisur furishëm edicionin e ri. Por jo edhe Mallorca. Kjo skuadër e mori vetëm pikën e dytë. Është në pozitën e parafundit në elitën spanjolle.

“Kur kundërshtari mbetet me 10 lojtarë, duhet që ta kthesh lojën. Kundërshtarët kishin shanse dhe shënuan. Për këtë arsye është Atletico Madridi. Nga perspektiva ime, kur e pash rezultatin 1:0, mendova se u kthyem si me ndeshjen me Espanyolin. Në ato 10 minuta, ne kemi reaguar mirë si ekip. Kemi dominuar ndaj një skuadre si Atletico, krijuam shanse dhe shënuam. Nuk duhet të jemi shumë të lumtur, por të qetë sepse fituam një pikë ndaj një skuadre si Atletico. Tani kemi ndeshje të radhës të mërkurën dhe do të shkojmë pas fitores”, ka shtuar Muriqi.

Mallorca nisi me humbje 3:0 në shtëpi nga Barcelona. Në atë ndeshje Muriqi u ndëshkua me të kuq për një ndërhyrje pafat. Më pas erdhi barazimi 1:0 me Celta Vigon. Pasuan humbjet 2:1 nga Real Madridi dhe 3:2 nga Espanyoli. Dhe të dielën Mallorca sërish fitoi pikë. 

Të mërkurën është ndeshja Real Sociedad – Mallorca. 

31-vjeçari Muriqi ka katër gola në katër ndeshje kampionale. Shënoi ndaj Real Madridit, e më pas i shënoi dy golat ndaj Espanyolit. Po ashtu ka shënuar për Kosovën ndaj Suedisë, më 8 shtator.

“Jam shumë, shumë i lumtur. Për një sulmues, shënimi i golave, madje edhe në miqësore, gjithmonë vlen. Të jep vetëbesim. Tani vetëbesimi im është në kulm dhe shpresoj se nuk do të ndalem me kaq, por të vazhdoj ta ndihmojë ekipin të fitojë pikë dhe të fitojmë ndeshje”, ka theksuar Muriqi.
Ai asnjëherë nuk e ka nisur edicionin në Spanjë më mirë. 

Forma e Muriqit është lajm i shkëlqyer edhe për tifozët e Kosovës. Shtatlarti prizrenas e mposhti Jan Oblakun e Atletico Madridit.

Oblak do të jetë në portë edhe më 10 tetor në “Fadil Vokrri”, kur Kosova përballet me Slloveninë. Nëse vazhdon ecurinë aktuale, të gjithë do ta presin golin e Muriqit edhe në atë ndeshje.

Në pranverë Muriqi ka insistuar që të vazhdojë kontratën me Mallorcan. Kjo u realizua dhe po del të jetë vendim i duhur i klubit spanjoll. Te Mallorca e dinë vlerën e kosovarit.

“Ai ka shënuar katër gola, kështu që duhet ta shërbejmë më mirë. Ndihet më rehat në fund të ndeshjes, kur ka krosim, sesa kur duhet të largohet nga zona. Doli nga fusha i lodhur, por me katër gola në pesë ndeshje jam i sigurt se dëshiron të jetë në ndeshjen e ardhshme”, ka thënë trajneri i Mallorcas, Jagoba Arrasate.