Fisnik Asllani e Albion Rrahmani po kalojnë formë të mirë te skuadrat e tyre. Por nuk ka dilema që sulmuesi kryesor i Kosovës mbetet Vedat Muriqi.
Muriqi pritet të jetë lojtari kryesor në sulm edhe në kualifikimet për Kupën e Botës 2026. E si mund të jetë ndryshe kur Muriqi shënon shpesh ndaj klubit më të madh në botë, Real Madridit?
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKëtë 31-vjeçari e bëri edhe të shtunën mbrëma. E kaloi në epërsi Mallorcan ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabeu”, me golin e shënuar në minutën e 18-të. Prizrenasi shënoi pas një rivënie nga këndi. Real Madridi megjithatë fitoi 2:1, ndërkohë që iu anuluan edhe tre gola. Anulimi i dy golave të Kylian Mbappes dhe sidomos ai i Arda Gulerit për lojë me dorë, morën gjithë vëmendjen nga ndeshja në Madrid.
Por për tifozët e Kosovës lajmi më i mirë është goli i Muriqit. Ai u shënua në një moment shumë të rëndësishëm, në prag të fillimit të kampanjës kualifikuese të Kosovës për Kupën e Botës 2026.
Përfaqësuesja e Kosovës grumbullohet të hënën, ndërsa të premten luan në Basel ndaj Zvicrës. Menjëherë më 8 shtator në “Fadil Vokrri” është ndeshja Kosovë – Suedi.
Janë dy ndeshje shumë të vështira për “Dardanët”, por forma e Muriqit dhe disa lojtarëve të tjerë jep shpresë.
“Vedati po vinte nga pezullimi dhe bëri një ndeshje të shkëlqyer. E pashë që dukej i mprehtë pas ndërprerjeve”, ka thënë trajneri i Mallorcas, Jagoba Arrasate.
Mprehtësia e Muriqit është e domosdoshme për Kosovën. Loja në sulm e përfaqësueses deri më tani ka shkuar kryesisht përmes tij. Dhe kjo nuk pritet të ndryshojë.
Muriqi nuk e nisi në mënyrën më të mirë edicionin në La Liga, ndërsa javë më parë e vazhdoi qëndrimin te Mallorca. Në ndeshjen hapëse, në një moment të pafat, goditi në fytyrë portierin e Barcelonës dhe u ndëshkua direkt me të kuq. Luajti vetëm 39 minuta. Për këtë arsye mungoi në ndeshjen e dytë ndaj Celta Vigos. Por u kthye me gol ndaj Real Madridit.
Tani grumbullohet me Kosovën, me shpresë për rezultate pozitive ndaj dy kundërshtareve shumë të forta.
Në ndeshjen e fundit me Kosovën, ndaj Islandës më 23 mars, në plejofin e Ligës së Kombeve, Muriqi realizoi “hat-trick”. U pushua në ndeshjet e qershorit, ndërsa dy gola i kishte shënuar në shtator të vitit të kaluar ndaj Qipros. Në shtator 2023 kishte shënuar po ashtu dy gola në barazimin 2:2 me Zvicrën në Prishtinë.
Me plot 31 gola në 60 ndeshje, “pirati” është bindshëm golashënuesi më i mirë i Kosovës. I dyti në listë është Milot Rashica me 12 gola në 61 ndeshje. Të tjetët i kanë më pak se dhjetë gola.
Kosova tashmë ka konkurrencë edhe për vendin e sulmuesit. Megjithatë, kur Muriqi është i gatshëm fizikisht, formacioni startues i Franco Fodas vështirë se mund të mendohet pa të.