Raphinha shënoi dy gola në fitoren 4:3 të Barcelonës. Barcelona fitoi me rikthim të rezultatit ndaj rivalit Real Madrid, në “El Clasicon” e zjarrtë që u zhvillua të dielën. Me fitoren dramatike, Barcelona tani është në prag të titullit.
Barcelona lidere ka 82 pikë, shtatë më shumë se vendi i dytë në të cilin është Real Madridi. Deri në fund të edicionit në La Liga kanë mbetur edhe tri xhiro. Një tjetër fitore do të bënte që Barça ta fitonte titullin e 28-të në elitën e futbollit spanjoll.
Pas eliminimit të dhimbshëm në vazhdime nga Interi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, Barcelona u kthye fuqishëm.
“Ishte qartë fitore shumë e rëndësishme. Është mirë të kesh ndeshje të tillë pas Ligës së Kampionëve. Mendoj se ajo tashmë është harruar”, ka thënë Yamal për “Moviestar Plus” pas ndeshjes.
“Vuajtja të bën më të fortë dhe të mëson t’i përmirësosh gabimet që i ke bërë. Ata nuk krijuan shanse të pastra, përveç golave që i shënuan. Ishte fitore shumë e rëndësishme sot për t’iu afruar edhe më shumë titullit në ligë. Jemi shumë të kënaqur”.
Barça e regjistroi fitoren e katërt rresht përballë Realit në të gjitha garat e këtij edicioni, dhe të dytin brenda në më pak se një muaj. Ky ballafaqim shfaqi edhe një herë dobësitë që këto dy skuadra i kanë në fazën defensive.
Por, Barcelona dukej më e fortë dhe më mirë e organizuar në përgjithësi. Dominoi në posedimin e topit dhe krijoi disa shanse të mira. Por, në disa momente u ndalën nga portieri Thibaut Courtois. Ai bëri disa pritje të mira dhe nuk lejoi që humbja të jetë më e thellë.
Barcelona mund ta sigurojë titullin të mërkurën, nëse Real Madridi nuk fiton në udhëtim kundër Mallorcas. Megjithatë, pavarësisht rezultatit të Realit, fitorja e Barcelonës në derbin e qytetit ndaj Espanyolit të enjten do t’ia garantonte titullin e kampionit.
Reali pati nisje me shkëlqim në “Montjuic Olympic Stadium”, pasi realizoi dy herë me Kylian Mbappen, për epërsinë e dy golave.
Ai shënoi nga penalltia të cilën e fitoi vetë, kur portieri Wojciech Szczesny e ndali në mënyrë të palejuar në minutën e pestë. Nëntë minuta më vonë, ai e dyfishoi epërsinë pas asistimit të Vinicius Juniorit.
Barcelona u kundërpërgjigj shpejt. Eric Garcia, Lamine Yamal dhe Raphinha e gjetën rrugën e golit brenda 15 minutave, për ta kthyer rezultatin në 3:2.
Garcia shënoi me goditje me kokë në minutën e 19-të, ndërsa Yamal e realizoi golin e barazimit në minutën e 32-të. Yamal pati tjetër paraqitje mbresëlënëse, ndërsa e plasoi topin bukur prapa shpinës së portierit Courtois.
Dy minuta më vonë, gabimin e Mbappes në mesfushë e shfrytëzoi Barcelona. Raphinha në një kundërsulm të shpejtë shënoi për epërsinë e një goli të Barçës.
Reali mendoi se e fitoi penalltinë e dytë në minutën e 43-të, por u anulua pasi gjatë ndërtimit të aksionit kishte pozitë jashtë loje. Një minutë më vonë, gabimi i kapitenit Lucas Vazquez ishte dhuratë për Raphinhan, që shënoi për 4:2.
Barcelona edhe në pjesë të dytë pati paraqitje të mirë dhe kishte disa shanse për shënim.
Por u zu në befasi në minutën e 70-të, kur Mbappe në kundërsulm realizoi sërish me asistim të Viniciusit. Mbappe nuk e pati të vështirë dhe e kompletoi “hat-trickun”.
Kampioni i edicionit të kaluar nuk arriti të kthehej më në lojë dhe tani është në prag të mbylljes së sezonit pa asnjë trofe të fituar.
“Ishte ndeshje e barabartë, shumë e luftuar deri në sekondën e fundit”, u ka thënë Ancelotti gazetarëve.
“Ne ishim afër që ta shënonim golin e barazimit, por ky është futbolli. Ishte ndeshje e madhe mes dy klubeve të mëdha. Nuk kam asnjë kritikë për skuadrën time sa i përket përkushtimit. Nuk shkoi mirë, por luftuam”.