Futboll

Edhe pse mposhtet, Newcastle kualifikohet në Champions

Newcastle United

Edhe pse të dielën ka pësuar humbje në shtëpi nga Evertoni në ndeshjen e fundit të kampionatit elitar anglez, Newcastle Unitedi do të luajë në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm.

Kjo u mundësua edhe pas humbjeve që Aston Villa dhe Nottingham Foresti pësuan në xhiron e 38-të.

Evertoni fitoi 1:0 në udhëtim me golin e Carlos Alcarazit në minutën e 65-të.

Newcastle e mbyll kampionatin në vendin e pestë me 66 pikë, aq sa ka edhe Aston Villa në vendin e gjashtë, që do të luajë në Ligën e Evropës. Aston Villa humbi nga Manchester Unitedi. Aston Villa pati goldallim më të dobët.

Ndërkohë, Nottingham Foresti do të luajë në Ligën e Konferencës pas disfatës së pësuar nga Chelsea.

Në Ligën e Kampionëve në edicionin tjetër si fitues i Ligës së Evropës për këtë edicion, do të luajë edhe Tottenhami.

Tottenhami e mbylli kampionatin në vendin e 17-të me 38 pikë. U mposht thellë nga Brightoni 4:1 në ndeshjen e fundit të kampionatit. Pozita e 17-të është e fundit që siguron mbetjen në elitën angleze të futbollit.

Evertoni e përfundon kampanjën në vendin e 13-të me 48 pikë. Armando Broja ishte në bankën rezervë tek Evertoni.

Nga Premier League këtë edicion kanë rënë Leicester City, Ipswich Town dhe Southampton.