Futboll

Dortmundit i lëndohet Nmecha, mungon disa javë

Felix Nmecha

Borussia Dortmundi nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e mesfushorit Felix Nmecha për shumë javë.

24-vjeçari Nmecha e lëndoi rëndë gjurin në barazimin 2:2 të Dortmundit ndaj Werder Bremenit, të shtunën.

Trajneri i përkohshëm i Dortmundit, Mike Tullberg, të martën në konferencë për shtyp deklaroi se gjermani Nmecha do të jetë jashtë fushave për disa javë.

Ai foli edhe për qendërmbrojtësin Waldemar Anton dhe sulmuesin Serhou Guirassy dhe konfirmoi se të dy futbollistët do të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Shakhtar Donetskut.

“Nmecha do të jetë jashtë fushave për disa javë. Qendërmbrojtësi Waldemar Anton dhe sulmuesi Serhou Guirassy do të jenë të gatshëm për ndeshje nesër”, theksoi Tullberg.

Dortmundi të mërkurën nga ora 21:00 e pret gjigantin ukrainas, Shakhtar Donetsk, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tetë të Ligës së Kampionëve.

Dortmundi pas shtatë ndeshjeve të luajtura këtë edicion në “Champions” ka 12 pikë në vendin e 14-t.

Shakhtar Donetsku ka pesë pikë më pak dhe renditet në pozitën e 27-të.