Bundesliga

Dortmundi, testi i radhës për Leverkusenin

Bayer Leverkusen

Kampioni i ri i elitës së futbollit gjerman, Bayer Leverkusen, do të udhëtojë në Dortmund për ndeshjen e radhës në Bundesligë.

Dortmund – Leverkusen luhet të dielën nga ora 17:30, dhe i takon xhiros së 30-të.

Pavarësisht se e fitoi titullin me fitoren 5:0 në shtëpi kundër Werder Bremenit në vikendin e kaluar, skuadra që drejtohet nga arkitekti i sukseseve, Xabi Alonso, ka synime për rekorde të reja.

Leverkuseni me liderin Granit Xhaka në mesfushë, po e synon tripletën, pasi është kualifikuar në finale të Kupës së Gjermanisë dhe në gjysmëfinale të Ligës së Evropës.

Bayern Munichu është i vetmi klub gjerman që e ka fituar tripletën.

Por bavarezët tripletën e kanë fituar në vitin 2013 dhe 2020 me Ligën e Kampionëve, dhe jo me Ligën e Evropës.

Në ligë, Leverkuseni është i pamposhtur me 25 fitore e katër barazime në 29 ndeshje.

Në të gjitha garat, Leverkuseni ka 44 ndeshje pa humbje që është rekord sa i takon pesë ligave evropiane.

Bayern Munichu nuk ka arritur ta përfundojë sezonin pa humbje, ndërsa skuadra e Alonsos është pesë ndeshje larg kësaj arritje të veçantë.

Leverkuseni aktualisht ka 79 pikë dhe mund ta thyejë rekordin e Bundesligës me më së shumti pikë të arritura.

Rekordi mbahet nga Bayerni në edicionin 2012/13, kur kishte arkëtuar 91 pikë.

Pas ndeshjes me Dortmundin, Leverkuseni luan me Stuttgartin e vendit të tretë.

Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave në dhjetor ishte mbyllur 1:1.

Bayern Munichu të shtunën udhëton tek Union Berlini në ndeshjen që nis në orën 18:30.

Union Berlini po lufton për mbijetesë.