Me ndeshjet Athletic Bilbao – Arsenal dhe PSV – Royal Union fillon edicioni i ri i Ligës së Kampionëve.
Këto ndeshje zhvillohet të martën nga ora 18:45 dhe i takojnë xhiros së parë të fazës së ligës së Championsit.
Skuadra londineze shpreson të fitojë pikë maksimale në udhëtimin e vështirë në Bilbao, ndërsa ndeshja mes skuadrës holandeze dhe asaj belge pritet të jetë e hapur. PSV-ja llogaritet favorite.
Të martën nga ora 21:00 janë katër ndeshje. Vëmendja do të jetë në Torino, ku përballen Juventusi dhe Borussia Dortmundi dhe në Madrid, ku Reali e pret Marseillen. Benfica – Qarabag dhe Tottenham – Villarreal janë ndeshjet tjera që luhen të martën nga ora 21:00.
Në Torino, si Juventusi ashtu edhe Dortmundi shpresojnë për fillim të mbarë të kampanjës në Champions.
“Borussia Dortmundi është ekip shumë i fortë. Luajmë në shtëpi ndaj një top-ekipi dhe mezi presim që ndeshja të fillojë. Nuk po e mendojmë atë se ku mund të arrijmë. Jemi të fokusuar në ndeshjen e nesërme dhe po mendojmë se si mund ta godasim kundërshtarin. Por po ashtu se si kundërshtari mund të na shkaktojë probleme”, ka thënë trajneri i Juventusit, Igor Tudor.
Real Madridi, që tani drejtohet nga Xabi Alonso, pret të kthehet te suksesi në Evropë. Kampanja e kaluar nuk ishte e suksesshme për madrilenët.
Real Madridi llogaritet favorit ndaj skuadrës franceze, Marseille, por ndeshja nuk pritet të jetë e lehtë.
“Është shumë entuziazmuese që të paraqitem në Ligën e Kampionëve me Real Madridin. Dhe të jemi në ‘Bernabeu’, me gjithë historinë që ka ky stadium, është edhe më e veçantë. Shpresojmë të fillojmë mirë ndaj një kundërshtari shumë të vështirë”, ka thënë Alonso.
Xhiroja e parë e Championsit zhvillohet gjatë tri ditëve, të martën, të mërkurën e të enjten.