Futboll

Derbi i Manchesterit në Premier League

guardiola

Pas ndeshjeve të përfaqësueseve, të premten ka vazhduar gara në ligat evropiane të futbollit.

Dhe në fundjavë njëra prej ndeshjeve më të rëndësishme do të jetë ajo mes skuadrave të Manchesterit. 

Ndeshja mes Manchester Cityt dhe Manchester Unitedit e mbyll xhiron e katërt të Premier Leagues. Kjo ndeshje zhvillohet të dielën nga ora 17:30.

As City e as Unitedi nuk e kanë nisur mirë edicionin 2025/26.

“Djajtë e Kuq” kanë një humbje, një barazim dhe një fitore. U mposhtën nga Arsenali, barazuan me Fulhamin dhe fituan ndaj Burnleyt.

Klubi që për trajner e ka Ruben Amorimin, Manchester Unitedi, u eliminua në raundin e dytë të EFL Cup. U mposht pas ekzekutimit të penalltive nga skuadra e kategorisë së katërt, Grimsby Town.

City i Pep Guardiolas po ashtu kishte telashe me rezultate. Ka një fitore dhe dy humbje. Fitoi ndaj Wolverhamptonit dhe u mposht nga Tottenham Hotspuri dhe Brightoni.

City ka fituar pesë nga tetë ndeshjet e fundit të Premier Leagues kundër Unitedit.

Fitorja më e thellë e Cityt ndaj Unitedit është 6:1. Me këtë rezultat e ka mposhtur dy herë. Fillimisht më 23 janar 1926 dhe më pas më 23 tetor 2011.

Ndërsa fitorja më e thellë e Unitedit ndaj Cityt është 5:0, e shënuar më 10 nëntor 1994.

Në total dy skuadrat kanë zhvilluar 186 ndeshje.

Unitedi prin me 75 fitore, City ka 59, kurse 52 herë ndeshja ka përfunduar baras.

Të dielën luan edhe kampioni në fuqi i Anglisë, Liverpooli.

 “Të kuqtë” nga ora 15:00 luajnë në udhëtim te Burnley.

Liverpooli ka fituar tri ndeshjet e para dhe udhëheq në tabelë me 9 pikë. Është ekipi i vetëm me tri fitore.

Xhiroja e katërt fillon të shtunën me ndeshjen që luhet nga ora 13:30 ndërmjet Arsenalit dhe Nottingham Forestit.

Të shtunën luajnë edhe Tottenham Hotspuri dhe Chelsea.

Tottenhami nga ora 18:30 luan në udhëtim te West Ham Unitedi, ndërsa Chelsea nga ora 21:00 luan si mysafir i Brentfordit.