Derbi i madh i Italisë i ka takuar skuadrës së Juventusit.
Juve të shtunën mbrëma e fitoi 4:3 ndeshjen dramatike në shtëpi ndaj Interit. Kjo ndeshje i takoi xhiros së tretë të Serie A.
“Zonja e Vjetër” fal golit të minutës së 91-të e siguroi fitoren e madhe.
Vendësit në minutën e 14-të kaluan në epërsi me golin që e realizoi Lloyd Kelly.
Interi shifrat i barazoi në minutën e 30-të. Hakan Çalhanoglu ishte realizatori i golit.
Tetë minuta më pas, Kenan Yildiz, e kaloi sërish në epërsi 2:1 Juven.
Çalhanoglu e barazoi rezultatin sërish në 2:2 në minutën e 65-të.
Në minutën e 76-të, Interi kaloi në epërsi 3:2 me golin e shënuar nga Marcus Thuram.
Juve nuk u dorëzua dhe shtatë minuta më pas, Khephren Thuram, e barazoi rezultatin.
Ndërsa në minutën e 91-të, mesfushori Vasilije Adziq e realizoi golin e fitores 4:3.
Te Juve mungoi sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova.
Për “nerazzurrët” kjo ishte humbja e dytë radhazi. Juve ka tri fitore të njëpasnjëshme.