Futboll

Degen: Shaqiri e udhëhoqi Baselin drejt titullit

Xherdan Shaqiri

David Degen, i cili ka më së shumti aksione në klubin e Baselit, ka thënë fjalë të mëdha për Xherdan Shaqirin. 

Baseli e siguroi titullin e kampionit të Zvicrës të dielën, pas barazimit të Servettes në shtëpi kundër Young Boysit. Ky rezultat ia mundësoi Baselit të fitojë titullin e 21-të, tri xhiro para fundit. 

Degen deklaroi se Shaqiri para se t’i bashkohej Baselit kishte mundësi që të transferohej edhe në Arabinë Saudite. 

“Shaqiri mund të ishte transferuar edhe në Arabinë Saudite. Por ai u kthye në Basel dhe e udhëhoqi klubin drejt titullit të kampionit. Ai e largoi presionin nga lojtarët e tjerë, duke i lejuar ata të rriteshin bashkë me të”, ka thënë Degen, shkruan të hënën “Blick”. 

Shaqiri është duke kaluar formë shumë të mirë këtë edicion. 

33-vjeçari në 35 ndeshjet e zhvilluara ka realizuar 20 gola dhe ka bërë 21 asistime.