Futboll

Debutimi i Jasharit te Milani vlerësohet lart

Ardon Jashari

“Milani shfaqi lojë të sigurt në mesfushën, falë debutimit të shkëlqyer të Ardon Jasharit, shpejtësisë së Chukwuezes dhe organizimit të përgjithshëm taktik”. Kështu e ka nisur shkrimin mediumi i njohur italian “La Gazzetta dello Sport”, pas barazimit të skuadrës së madhe italiane me Leeds Unitedin.

Ndeshja e zhvilluar të shtunën në “Aviva Stadium” në Dublin të Irlandës së Veriut, u mbyll 1:1. Santiago Gimenez shënoi për Milanin në minutën e 31-të, ndërsa Anton Stach i barazoi shifrat në minutën e 67-të. Jashari u zëvendësua pas një ore lojë.

“Jashari më ka befasuar me atë që e ka bërë, sepse ai ka punuar pak me topin dhe më shumë ka stërvitur i vetëm. Ka ende hapësira për përmirësim dhe duhet punuar. Duhet që të punojmë me të edhe në aspektin fizik dhe në atë mendor. Ne nuk duhet të kënaqemi me këtë rezultat. Të fitohen ndeshjet duhet të jetë mentaliteti i vetëm te Milani”, ka deklaruar pas ndeshjes trajneri Massimiliano Allegri.

“Rossonerët” u paraqitën mirë ndaj skuadrës së promovuar sivjet në elitën e futbollit anglez. Në Itali e Zvicër, mediume të njohura kanë veçuar paraqitjen e Jasharit, i cili u transferua te Milani për 34 milionë euro nga skuadra e njohur belge, Club Brugge. Në klauzolën e Jasharit janë përfshirë edhe tre milionë euro të tjera bonuse. Transferimi i tij u zyrtarizua të mërkurën dhe u përcoll me bujë.

“Forma e tij fizike mund të mos jetë më e mira, por mesfushori që përfaqëson Zvicrën është i kompletuar dhe mund të dhurojë kënaqësi për tifozët në ‘San Siro’. Të dielën debuton Luka Modriq kundër Chelseat në “Stamford Bridge”. Që të dy mund të jenë zbavitës të tifozëve”, ka shkruar “La Gazzetta dello Sport” pas ndeshjes.

Video:

Jashari ishte kapiten i Luzernit si 19-vjeçar dhe pas një kohe të shkurtër shkëlqimi në elitën e futbollit të Zvicrës, e siguroi kalimin te Club Brugge i Belgjikës për 6 milionë euro. Që në sezonin e tij të parë në Belgjikë, me Club Bruggen e fitoi Kupën e Belgjikës dhe pati paraqitje shumë të mira në kampionatin belg. U vlerësua lart edhe për paraqitjet në Ligën e Kampionëve. Ai e fitoi çmimin e lojtarit më të mirë në kampionatin “Jupiler Pro League” të Belgjikës. Fitoi edhe disa çmime të tjera individuale.

Jashari në nivel përfaqësuesesh, luan për Zvicrën, por nuk ka pasur shumë hapësirë në ekipin A. Megjithatë, për lëvizjen te Milani ka marrë lëvdata edhe nga selektori Murat Yakin. Jashari 23-vjeçar luan në pozitën e mesfushorit. Te Zvicra shihet si pasardhës i Granit Xhakës në mesfushë. Ai i ka katër paraqitje me përfaqësuesen helvetike, por pritet që shpërthimin e madh ta ketë te Milani.

Për trajnerin e ri, Allegrin, ishte miqësorja e katërt në krye të skuadrës “kuqezi”. 

Humbi nga Arsenali 1:0, ndërsa fitoi ndaj Liverpoolit 4:2 dhe ndaj Perth Gloryt 9:0.