Mirlind Daku do të kthehet në Rusi javën e ardhshme. Por ka shumë pikëpyetje sa i përket së ardhmes së tij. Dakut i dështoi kalimi te skuadra e madhe ruse, Zenit St Petersburg, ndërsa sipas raportimeve të fundit nga mediat ruse, Rubin Kazani nuk është i gatshëm t’i japë Dakut pagën që ai dëshiron.
“Gjithashtu raportohet se drejtuesit e Dinamo Moskës janë ende duke punuar për t’i bërë ofertë Dakut”, shkruan sajti rus “sport.evening-kazan.ru”.
Zeniti shprehu interesim për Dakun, arriti marrëveshje me Rubin Kazanin, por jo edhe me sulmuesin e Shqipërisë. Ka pasur raportime se Zeniti ka ofruar 8 milionë euro për 27-vjeçarin Daku. Po ashtu mediumet ruse kanë raportuar më herët se dështimi i marrëveshjes mes Dakut dhe Zenitit nuk ishte vetëm për shkak të aspektit financiar. Ka pasur raportime se te Zeniti po hezitojnë ta angazhojnë Dakun edhe për shkak të veprimit të tij gjatë “Euro 2024”. Pas një ndeshjeje me Shqipërinë ai mori megafonin dhe nisi një sharje ndaj serbëve e maqedonasve. Për këtë ishte dënuar nga UEFA më pas. I është përmendur edhe tatuazhi që mban në nderim të komandantit të UÇK-së, Agim Ramadani – Katana.
Një i afërm i Dakut ka mohuar shumë shkrime që janë bërë rreth së ardhmes së Dakut. Por kanë pranuar se aspekti financiar do të vendosë të ardhmen e sulmuesit, i cili Rubin Kazanit iu bashkua në verën e vitit 2023. Për pagën dhe bonuset që Daku kërkon, kanë shkruar rregullisht mediat ruse. Edhe të martën është bërë e ditur se Daku kërkon bonuse për golat.
Daku përfundoi i dyti në listën e golashënuesve më të mirë të sezonit të kaluar të Premier Ligës ruse të futbollit. Shënoi 15 gola. Por në sistemin gol-asist, Daku ishte më efikasi i elitës ruse të futbollit
Daku është lojtari më i mirë i kësaj skuadre. Daku është nga Kosova, por luan për Shqipërinë.
Ai ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm me Rubin Kazanin.
“Më 1 korrik Mirlindi do të kthehet atje. Nuk ka ende asgjë zyrtare. Ai ka edhe një vit kontratë dhe nëse nuk lëviz në ndonjë klub, atëherë do të ketë kontratë të re me rritje page. Pra, nëse nuk bëhet shitja, është duke u diskutuar kontrata katërvjeçare me rritje page”, ka thënë një i afërt i Dakut në kushte anonimiteti për KOHËN të martën.
“Rubini nuk ka pranuar asnjë ofertë që është nën vlerën 10 milionë euro. Synimi i klubit është të mos e shesë më pak se 10 milionë euro. Nëse nuk ka blerës, atëherë Rubini do ta mbajë për vete Mirlindin”.
Daku për Shqipërinë ka luajtur 11 ndeshje, ndërsa ka një gol të shënuar. Para se t’i bashkohej Shqipërisë, Daku luajti pesë ndeshje për Kosovën. Ishte edhe kapiten i Kosovës U21.
Me Dakun te Rubin Kazani luajnë edhe Dardan Shabanhaxhaj dhe Veldin Hoxha. Hoxha së fundi iu bashkua përfaqësueses së Kosovës, ndërsa Shabanhaxhaj ka thënë se në shtator do të vendosë për të ardhmen e tij sa i përket përfaqësueses.
Dakut, Shabanhaxhajt dhe Hoxhës shpejt mund t’u bashkohet edhe një lojtar tjetër i Kosovës. Bëhet fjalë për sulmuesin Baton Zabërgja. Interesimi për ta transferuar është i madh. Por mbetet të shihet nëse Dinamo City do të arrijë marrëveshje me klubin rus për Zabërgjën.