Futboll

Baseli fiton Kupën pas gjashtë vjetësh

Baseli

Baseli e ka fituar Kupën e Zvicrës pas gjashtë vjetësh pritje. Kampioni i ri i Zvicrës, Baseli, të dielën pasdite fitoi për herë të 14-të në histori të klubit trofeu ne Kupës.

Në finale të Kupës, Baseli e mposhti ekipin e kategorisë së tretë zvicerane, Biel, me rezultat të thellë 4:1. Së fundi e kishte fituar në edicionin 2018/2019.

Finalja u zhvillua në “Stadion Wankdorf” në Bernë. Ishte finalja jubilare, e 100 e Kupës së Zvicrës në futboll.

Njërin prej katër golave për Baselin e shënoi kapiteni Xherdan Shaqiri. Ai shënoi golin e epërsisë 2:1 nga penalltia.

Ai ishte i saktë nga pika e 11-të metërshit në minutën e 67-të. Anthony de Freitas në minutën e 35-të shënoi autogol për epërsinë e parë të Baselit. Më pas Bieli barazoi shifrat në 1:1. Brian Beyer shënoi golin e barazimit nga penalltia në minutën e 60-të, ndërsa epërsinë e dytë Baseli e siguroi falë penalltisë së shënuar nga Shaqiri.

Marin Shotiçek shënoi për 3:1 në minutën e 78-të, kurse dy minuta më vonë, Moussa Cisse shënoi për 4:1.

Për Baselin luajtën edhe sulmuesi Albian Ajeti dhe mesfushori Leon Avdullahu.

Yll Avdyli mbeti në bankën e rezervistëve te Bieli.