Futboll

Barcelona njofton për 10-shin e ri të skuadrës

yamal

Lamine Yamalit i është dhuruar numrin ikonë i fanellës, dhe do të jetë 10-shi i ri i Barcelonës. Fanella me numrin 10-të më herët është mbajtur veshur edhe nga legjenda e futbollit, Lionel Messi. 

Lajmi është konfirmuar të mërkurën nga klubi nga Katalunja. 

Yamali, i cili mbushi 18 vjeç të dielën, do ta mbajë veshur këtë fanellë nga edicioni i ardhshëm. 

Në edicionin e kaluar, fanellën me numrin 10-të e ka mbajtur veshur Ansu Fati, i cili është huazuar për një edicion te Monaco më herët gjatë këtij muaji. 

Njoftimi ka ardhur vetëm pak ditë pasi ndaj sulmuesit të krahut është nisur hetimi pasi ylli i futbollit punësoi njerëz me trup të shkurtër për të performuar në festën e tij, për ditëlindjen e 18-të. 

Përveç fanellës me numrin 10-të, Yamali ka nënshkruar edhe kontratën e re me klubin që do të përfundojë në vitin 2031. 

Messi e mbajti veshur fanellën me numrin 10-të te Barcelona nga viti 2008, deri në vitin 2021 kur u largua nga skuadra drejt Paris Saint-Germainit. 

Argjentinasi është legjendë e klubit pasi i fitoi 10 tituj të La Ligas dhe katër Liga të Kampionëve. Lionel Messi është edhe golashënuesi më i mirë në histori të klubit. 

Ansu Fati e mori numrin e Messit pas largimit, por pati shumë lëndime dhe nuk arriti ta shfaqë formën më të mirë në ekipin e Barcelonës. 

Ndërkohë, në skenë u shfaq Yamal, që vlerësohet si njëri prej lojtarëve më premtues dhe këtë ka shfaqur në ndeshjet me Barcelonën e Spanjën. 

Tinejxheri, i cili tashmë ka luajtur në 106 ndeshje me Barcelonën dhe ka 25 gola të shënuar, tani do ta ketë numrin më të rëndësishëm në fanellë, në historinë e klubit. 

Përveç Messit, fanellën me numrin 10-të te Barcelona e kanë mbajtur veshur edhe lojtarët e mëdhenj si Ronaldinho, Rivaldo, Romario e Diego Maradona. 

Yamali në të kaluarën ka mbajtur veshur edhe fanellën me numrin 41, 27 e 19-të. 

Yamali me Barcelonën ka fituar dy tituj të La Ligas, një Kupë të Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës. 

Ai është fitues i Kampionatit Evropian me Spanjën, në turneun që vitin e kaluar u organizua në Gjermani.