Futboll

Atletico kërkon fitoren e parë

atletico madrid

Edicionin e kaluar ishte në garë për titullin e kampionit në La Liga, por në fillimin e këtij edicioni Atletico Madridi ka dëshpëruar me rezultate.

Në tri xhirot e para, Atletico, nuk ka shënuar fitore. Ka një humbje dhe dy barazime.

Kjo është hera e parë që Atletico ka tri ndeshje pa fitore në fillimin e edicionit në La Liga, që nga edicioni 2009/10.

Skuadra e Diego Simeones të shtunën nga ora 21:00 e pret Villarrealin, në kuadër të javës së katërt të kampionatit spanjoll.

Villarreali qëndron më mirë me rezultate. Ka dy fitore dhe një barazim. Kështu që Atleticon e pret tjetër ndeshje e vështirë.

Kampionia në fuqi e Spanjës, Barcelona, xhiron e kaluar i lëshoi dy pikë, pasi barazoi 1:1 në udhëtim te Rayo Vallecano. Në dy ndeshjet e para, Barça fitoi ndaj Mallorcas dhe ndaj Levantes.

Barça të dielën nga ora 21:00 e pret Valencian.

Këtë ndeshje gjiganti katalonjas e luan në stadiumin “Estadi Johan Cruyff”, që ka kapacitet prej 6 mijë ulësesh. Ishte e paraparë që ndeshja të luhej në stadiumin e rinovuar “Camp Nou”, por lejet administrative nuk u morën në kohë.

Valencia ka një fitore, një barazim dhe një humbje.

Real Madridi të shtunën nga ora 16:15 luan në udhëtim te Real Sociedadi. Reali i ka fituar tri ndeshjet e para.