Futboll

Asllani vazhdon kontratën me Hoffenheimin

Fisnik Asllani

Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, edicionin e ardhshëm me Hoffenheimin do të paraqitet në Bundesligë. Asllani të dielën mbrëma e ka vazhduar kontratën me skuadrën e Hoffenheimit. Qendërsulmuesi pjesë e klubit gjerman do të jetë deri në verën e vitit 2029.

Futbollisti i talentuar, Asllani, edicionin e kaluar shkëlqeu në kategorinë e dytë të futbollit gjerman. Ai ishte i huazuar tek Elversbergu. E mbylli edicionin me 18 gola e nëntë asistime.

“Jam i kënaqur që kam zgjatur kontratën time me Hoffenheimin. Jam shumë i motivuar dhe tani dua të provoj veten në Bundesligë. E njoh klubin, shumë nga lojtarët në skuadër dhe të gjithë stafin e Hoffenheimit”, ishin fjalët e para të Asllanit pas vazhdimit të kontratës.

Ndërkohë drejtori sportiv i Hoffenheimit, Andreas Schicker, theksoi se Asllani është sulmues shumë i talentuar.

“Fisniku është një sulmues shumë i talentuar. Golat dhe asistimet e tij flasin vetë. Sigurisht, zhvillimi i Fisnikut dhe paraqitjet e tij të forta në divizionin e dytë nuk kanë kaluar pa u vënë re nga shumë klube të tjera. Për këtë arsye, jemi edhe më të kënaqur që ai tani është plotësisht i përkushtuar për një të ardhme te Hoffenheimi”, ka thënë Schicker.

22-vjeçari Asllani me Kosovën ka zhvilluar shtatë ndeshje dhe ka realizuar një gol.