Futboll

Asllani dëshiron të jetë inspirim për të tjerët, flet edhe për Kosovën

Fisnik Asllani

Pas angazhimit me Kosovën, Fisnik Asllani është kthyer te Hoffenheimi sërish. 

Ai të enjten ka dhënë intervistë të gjatë për faqen zyrtare të klubit të Bundesligës, ndërsa ka folur edhe për rezultatet e Kosovës në kualifikimet për Kupën e Botës 2026. 

Kosova humbi nga Zvicra në udhëtim 4:0, por fitoi 2:0 ndaj Suedisë në Prishtinë. 

Asllani nuk luajti ndaj helvetikëve, ndërsa u paraqit ndaj suedezëve prej minutës së 59-të. 

“Pritshmëritë në Kosovë janë të larta sepse kemi skuadër të mirë”, thotë Asllani. Përkrah tij është edhe Leon Avdullahu, futbollisti i tretë i Bundesligës, që përfaqëson Kosovën. Leart Paqarada është pjesë e Heidenheimit. “Askush nuk dëshiron të luajë kundër nesh. Po bëhemi gjithnjë e më të mirë. Dhe natyrisht, shumë lojtarë të tjerë do të vijnë”. 

Njëri prej kandidatëve tjerë potencialë për ta përfaqësuar Kosovën është edhe transferimi i ri i Hoffenheimit, Albian Hajdari. 

Asllani ka treguar sërish se si zgjodhi ta përfaqësojë Kosovën, dhe momentin kur Leon Avdullahu pranoi që t’i përfaqësojë “Dardanët”. 

“Isha në pushim në Prishtinë dhe në një ndeshje në stadium. Mu rrëqeth trupi. Menjëherë e kam ndierë atmosferën, ishte në zemrën time”. 

Asllani si 16-vjeçar debutoi me Kosovën U17 në shtator të vitit 2018. Me grupmoshën U18 dhe U20 të Gjermanisë, Asllani i luajti nëntë ndeshje. Debutimin te Kosova A, Asllani e pati në shtator të vitit të kaluar. Ai e ka një gol të shënuar me “Dardanët”. 

Ndërkohë, Leon Avdullahu kishte mundësinë të luante edhe për Zvicrën, por vendosi për Kosovën. 
“Kemi folur shumë, por nuk kam dashur të ndikojë në vendimin e tij. Vendimi duhet të vijë nga zemra. Leoni më dërgoi mesazh një ditë dhe më tha se do ta merrte vendimin po atë ditë. I kam shkruar rreth orës 6 pasdite për ta pyetur nëse gjithçka ka përfunduar. Isha nën ethe. Më pas më ktheu mesazhin me një fjalë: Kosova. Isha jashtëzakonisht i lumtur. Jam jashtëzakonisht i lumtur”.  

23-vjeçari Asllani tutje ka theksuar se dëshiron që të jetë inspirim për të tjerët. 

“Dua t’i inspiroj të tjerët dhe t’u tregoj se mund të arrini gjithçka nëse nuk hiqni dorë”, ka deklaruar Asllani. 

Asllani e ka nisur sezonin mirë me Hoffenheimin. Në tri ndeshje ka dy gola të shënuar e po aq asistime, në Bundesligë dhe në Kupë të Gjermanisë.