Granit Xhaka do të kthehet në Premier League. Tashmë është arritur marrëveshja për transferimin e tij te Sunderlandi nga Bayer Leverkuseni.
Xhaka transferohet për 20 milionë euro. Ai do të firmosë për tri vjet me skuadrën e kthyer në Premier League.
Xhaka që në fund të kampionatit të kaluar dha shenja se do të largohet nga Leverkuseni. Fillimisht ishte përfolur kalimi te Milani në Itali. Më pas u raportua për kalim te Juventusi e Interi, por pa asnjë zhvillim konkret.
Në lojë hyri skuadra arabe Neom, që megjithatë refuzoi të paguante 20 milionë euro për kapitenin e Zvicrës. Ka pasur interesim edhe nga Fenerbahçe, por Xhaka vendosi për kthim në ligën më të fortë në botë. Ai dy vjet më parë ishte larguar nga Arsenali.
Te Leverkuseni në vitin e parë e fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Gjermanisë. Në vitin e dytë doli nënkampionë. Por më të mirët u larguan këtë verë nga Bayeri dhe 32-vjeçari nuk ishte gati të udhëhiqte ndërrimin e gjeneratës në skuadër.