Pas dy humbjeve rresht, Barcelona i ka dhënë fund ecurisë negative duke fituar ndaj Gironas të shtunën mbrëma.
Barça fitoi në fund 2:1 në ndeshjen që i takoi xhiros së nëntë të La Ligas.
Goli i shënuar nga Ronald Araujo në minutën e 93-të ia siguroi tre pikët shumë të rëndësishme gjigantit katalunjas.
Pedri e kaloi në epërsi Barçën në minutën e 13-të. Shtatë minuta më pas, Girona, reagoi duke i barazuar shifrat me golin që e realizoi Axel Witsel.
Mesfushori belg realizoi supergol nga afërsia.
Uruguaiani Araujo golin e fitores e shënoi pas asistimit të Frenkie de Jongut.
Barça në dy ndeshjet e kaluara u mposht nga Sevilla dhe nga Paris Saint-Germaini.
Në përballjen ndaj Gironas, Barçës i munguan disa futbollist të rëndësishëm si Robert Lewandowski, Gavi, Raphinha, Dani Olmo e Ferran Torres.
Barça ka 22 pikë dhe del përkohësisht në pozitën e parë. Real Madridi ka një pikë më pak dhe është një pozitë më poshtë. Por “Los Blancos” e kanë edhe një ndeshje më pak të luajtur.
Girona është në pjesën e poshtme të tabelës me gjashtë pikë.