Futboll

Anglia stërvitet në tenda për t’iu përshtatur nxehtësisë në Kupën e Botës

Anglia

Përfaqësuesja e Anglisë po shfrytëzon tenda të ngrohta si pjesë e stërvitjes, me qëllim për t’u përshtatur me kushtet që mund të jenë në Kupën e Botës në SHBA, Meksikë dhe Kanada, vitin e ardhshëm.

Ekipi i Thomas Tuchelit është në Girona të Spanjës për një kamp stërvitor.

Anglia luan ndaj Andorrës të shtunën. Ndeshja është kualifikuese për Botëror, ndërsa përballet me Senegalin më 10 qershor në miqësore.

Gjatë kampit në Girona, selektori Tuchel dhe stafi i tij do të shqyrtojnë se si lojtarët përballen me temperaturat e larta dhe lagështinë e madhe që pritet të jetë në Kupën e Botës.

Lojtarët do të kryejnë teste fizike brenda tendave, duke shfrytëzuar biçikleta stërvitjeje, ka shkruar BBC.

Temperatura në tenda do të jetë ajo që pritet të jetë gjatë Botërorit, ndërsa rikuperimi i lojtarëve do të analizohet.

Trajneri gjerman Tuchel ka thënë se pret që lojtarët të vuajnë në kushtet e Botërorit. Ai do të udhëtojë në SHBA këtë muaj për t’i vlerësuar kushtet. Gjatë këtij muaji mbahet Botërori për klube.

“Është e rëndësishme të shohim ndeshje tani në SHBA dhe në Miami në ora tre të pasdites”, ka thënë Tuchel. “Do ta shoh këtë. Duhet të kuptojmë se si t’i mbajmë lojtarët e freskët. Cilat janë opsionet tona. Jemi pas stinorit, kështu që do të jetë shumë e ngjashme. Përvoja aktuale është për lojtarët, por unë kam bërë fazë përgatitore në Orlando dhe do të isha shumë i befasuar nëse nuk vuajmë. Vuajtja është njëra nga gjërat kryesore në këtë Kupë të Botës”, ka thënë selektori i Anglisë.

Ka paralajmërime se temperatura në 14 nga 16 stadiumit që përdoren për Kupën e Botës 2026 mund të kalojnë “nivelet potencialisht të rrezikshme” gjatë turneut. Në Dallas për shembull, në më shumë se 80 për qind të ditëve të qershorit dhe korrikut temperatura kalon 28 gradë celsius.

Kualifikimi në Botëror nuk pritet të jetë problem për Anglinë, që ka fituar dy ndeshjet e para dhe udhëheq në grup me gjashtë pikë.