Ylli i Liverpoolit, Mohamed Salah, ka kritikuar publikisht UEFA-n që nuk ka treguar se si vdiq futbollisti i njohur si “Pele palestinez”.
Suleiman al-Obeid, 41-vjeçar, u vra të mërkurën në Gaza, kur forcat izraelite sulmuan qytetarët që po prisnin për ndihma, sipas Federatës së Futbollit të Palestinës.
“Lamtumirë Suleiman al-Obeid, ‘Pele palestinez’”, ka shkruar UEFA të premten në X. “Një talent që dha shpresë për fëmijë të shumtë, edhe në kohët më të errëta”.
E Salah iu përgjigj këtij postimi. “A mund të na tregoni si vdiq, ku dhe pse?”
Futbollisti i Liverpoolit dhe Egjiptit në vazhdimësi ka ngritur zërin në mbështetje të popullit në Gaza. Para dy vjetësh, ai dhuroi edhe mjete në Kryqin e Kuq për të ndihmuar në rajon.
Obeid kishte luajtur 24 herë dhe kishte realizuar dy gola për Palestinën.
Për shkak të talentit kishte marrë nofkën “Pele”, në emër të legjendës braziliane që konsiderohet si më i miri i të gjitha kohërave.