Futboll

A do të heqë SHBA-ja dorë nga emri “soccer” për futbollin?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Është sporti më i popullarizuar në botë, por ende ka debat se si duhet të quhet ai.

A është futboll apo “soccer”?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u përfshi në temë gjatë fazës finale të Kupës së Botës për Klube. Kjo ngjarje u organizua në SHBA, ndërsa përfundoi të dielën. Ai bëri shaka se mund ta miratonte një urdhër ekzekutiv për ta vendosur SHBA-në në një linjë me pjesën më të madhe të botës dhe që tani e tutje amerikanët ta njohin sportin si futboll.

“Mendoj se mund ta bëj këtë”, tha Trumpi duke buzëqeshur, derisa po fliste për transmetuesin DAZN.

Ishte një koment i relaksuar, por në kohën kur SHBA-ja po luan rol gjithnjë e më të rëndësishëm në futboll është aktualizuar pyetja pse amerikanët vazhdojnë ta quajnë sportin me emër tjetër e jo me emrin që e njeh pjesa tjetër e botës.

“Ata e quajnë futboll, ne e quajmë ‘soccer’. Nuk jam i sigurt nëse ky ndryshim mund të bëhet shumë lehtë”, ka shtuar Trump.

Futbolli (soccer) vazhdon të rritet në SHBA e kështu edhe ndikimi i SHBA-së në sportin më popullor.

SHBA-ja do ta organizojë Kupën e Botës të vitit të ardhshëm bashkë me Kanadanë dhe Meksikën.

Vjet e organizoi Copa American, sivjet Botërorin e Klubeve e vitin tjetër Botërorin e përfaqësueseve.

Faktorë të tjerë po e mbajnë futbollin (soccer) më shumë në ndërgjegjen amerikane. Dhe ndoshta këta faktorë do ta bëjnë shprehjen “futboll” më të zakonshme në një peizazh të ashpër sportiv.

Njëri prej lojtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Lionel Messi, luan në SHBA për Inter Miamin.

Popullariteti i Premier Leagues dhe Ligës së Kampionëve është në rritje të hovshme. Seriali dokumentar “Welcome to Wrexham”, për një klub uellsian të nivelit të ulët në pronësi të aktorëve të Hollywoodit, Ryan Reynolds dhe Rob McElhenney, ka tërhequr shumë vëmendje.

Historia e fjalës “soccer”

Pavarësisht se fjala “soccer” lidhet kryesisht me SHBA-në, kjo fjalë u shpik në Britani, me gjasë që në vitet 1880. Data e saktë se kur u përdor për herë të parë nuk dihet, por besohet se “soccer” rrjedh nga “association football”, që ishte emri i parë zyrtar i sportit.

Organizata “English Heritage” thotë se “soccer” mund të jetë përdorur për herë të parë nga nxënësit në shkollën ikonike “Harrow”, për “të dalluar lojën e re nga loja e tyre e vjetër e njohur si ‘footer’”.

Versione të shumta të futbollit u paraqitën, shpesh duke përfshirë trajtimin e një topi më shumë se shkelmimin e tij. 

Federata e Futbollit e Anglisë u krijua në vitin 1863 dhe ajo hartoi rregulla për futbollin, për ta dalluar atë nga versionet e tjera të lojës që luheshin nëpër Britani. Prej atëherë lindi futbolli që tani është sporti bindshëm më popullor.

Dr. Stefan Szymanski, profesor i menaxhimit sportiv në Universitetin e Michiganit, ka shkruar librin “Është futboll (football), jo ‘soccer’” dhe ka eksploruar origjinën e emrit. Në një leksion në Universitetin Amerikan të Bejrutit në vitin 2019, ai tha se “soccer” ishte “qartë një fjalë me origjinë anglezo\britanike”.

“Emri ‘association football’ nuk shfaqet deri në vitet 1870. Kështu që është paraqitur shumë herët në historinë e lojës dhe fjala ‘soccer’ është përdorur vazhdimisht qëkur u shpik në fund të shekullit të 19-të”, ka thënë ai.
“Soccer” nuk përdoret në Britani, por nuk ishte gjithnjë kështu. “Soccer AM” ishte një emision i njohur që u transmetua nga viti 1994 deri në vitin 2023 nga transmetuesi i Premier Leagues, Sky Sports. Legjenda e Anglisë, Bobby Charlton drejtoi shkolla të njohura për dekada, që quheshin “Bobby Charlton Soccer School”. Matt Busby, trajneri ikonik i Manchester Unitedit, e titulloi autobiografinë e tij, që u botua në vitin 1974, “’Soccer’ në majë, jeta ime në futboll”.

Kjo nënkupton se termat “soccer” dhe “football” ishin të këmbyeshëm në kulturën britanike.

Szymanski sugjeron se problemi që disa njerëz kanë me “soccer” nuk lidhet fare me fjalën. Por pse përdoret posaçërisht në Amerikë. Ai argumenton se duke pasur parasysh popullaritetin e madh të ligës NFL (ligës së futbollit amerikan) në SHBA, ka kuptim të bëhet dallimi midis “soccer-it” dhe versionit të tij të futbollit.

Jo vetëm në SHBA

Përdorimi i fjalës “soccer” në vendet e tjera është më i ngatërruar. Australia, që ka rregullat e veta të futbollit australian së bashku me dy kodet e ragbit, e përdor termin “soccer” dhe përfaqësuesja e saj quhet “Socceroos”. Por, Federata e saj e futbollit quhet “Football Australia”.

Është situatë e ngjashme në Irlandë. Termi “soccer” përdoret, por skuadra përfaqësuese e futbollit ende drejtohet nga organi i quajtur “Federata e Futbollit të Irlandës”.

Kanadaja, ashtu si SHBA-ja, e quan thjesht “soccer”, që e bën dallimin të qartë me NFL-në dhe Ligën Kanadeze të Futbollit.