Janë penj të ngjyrave të ndryshme që pritet të hyjnë në punë nga të rinjtë. Në një grumbullim tavolinash që krijojnë hapësirë për nja 15 veta shtrihen pëlhura të ndryshme për nga madhësitë e ngjyrat. Janë kryesisht studentë të Fakultetit të Arteve ata që ia kanë mësyrë të mësojnë pak nga teknikat e qëndisjes. Në këto anë qëndisja është traditë. Dikur ka qenë tejet e pranishme.
Artisti i ri Gani Riza që jeton në Paris është një prej pjesëmarrësve në ekspozitën kolektive që këto ditë po qëndron e hapur në Galeri.
Me gjilpërë në dorë ka udhëhequr punëtorinë e mbajtur në mbrëmje. Mbi pëlhurat ku janë vizatuar figura të ndryshme për orientim se nga të enden penjtë, ai ua ka shpjeguar teknikat e qëndisjes të rejave. Punëtoritë e tilla në vend kanë ndikuar që të rinj të ndryshëm të vazhdojnë krijimtarinë në drejtime të ndryshme.
Riza me prejardhje nga Gjakova thotë se qëndisja e motiveve vendore duhet promovuar.
Krahas kësaj, Programi i Edukimit në GKK synon të joshë artistët e rinj e fëmijët që të mësojnë praktika të ndryshme.
Pos punëtorisë, të pranishmit mund të shohin vepra interesante në tapiceri të ndryshme në Galeri. Në fund të shkurtit është hapur ekspozita “Ngjarja e një fijeje. Narrativat globale në tekstil”. Qëndisjet janë dukur diçka atraktive te të rinjtë. E tapiceritë në këtë kohë janë goxha në modë, qoftë për riprodhim pikturash apo dizajn drejt e në material.