Historitë e luftërave – bashkë me ato të tentimit të paqes – shtjellohen në pak metra katrorë të një skene teatri. Gjithçka zë fill te një lloj tregu. Prej negocimit të çmimit të mollëve, dilet te eshtrat që kthehen si kusur i një lufte. Në këtë rast hyn në lojë pjesë të romanit të Ismail Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Gjenerali kthehet në fushëbeteja për të mbledhur eshtrat e luftëtarëve. Fokusin e ka te mbetjet mortore të një koloneli. Por kësaj radhe plaka Nicë, nuk është një grua fshati por një punonjëse e hotelit “Grand”.
Shfaqja “Negotiating peace” me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt kalon nga skena në skenë duke sjellë pjesë të ndryshme negociatash paqeje. Prek e ironizon situata të njohura në këto anë e aso të vështira ndërkombëtare.
Prodhimi i Qendrës “Multimedia” dhe partnerëve ndërkombëtare, përball publikun me fatet e popujve që në këtë rast vendosen nga burokratë e gjeneralë që luftërat i kanë në qejf. Për shfaqjen e dhënë premierë të hënën mbrëma në tetarin “Oda”, ekipi ka punuar gjatë.
Për aktorët, shfaqjet e tilla janë të domosdoshme, sidomos në kohë sikurse kjo kur agresionet, luftërat e negociatat janë kryefjalë gjithandej.
Aktorët Shkumbin Istrefi, Ema Andrea, Harald Thompson Rosentrom, Ejla Bavçiq, Martin Kõiv, Melihate Qena dhe Orest Pastukh vërtiten përballë publikut duke shpërfaqur ngjarje që gjatë negociatave nuk tregohen asnjëherë publikisht. E doza e ironisë, shpesh i bën qesharake. Krejt procesi për realizimin e shfaqjes mund të shihet si një lloj konference paqeje.
“Ishte vërtet një projekt ndërkombëtar, ishte një lloj konference paqeje në vetvete. Janë dy shtete fiksionale që negociojnë paqen, por mund të themi se ka të bëjë edhe me Ballkanin dhe veçanërisht ndoshta me Serbinë dhe Kosovën ose me të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë që vazhdojnë ende të negociojnë paqen në mënyra të ndryshme”, tha dramaturgia, Mina Milosheviq.
Aktori ukrainas Orest Pastukh ka treguar se për të nuk ka qenë fort e lehtë që të marrë pjesë në një shfaqje të tillë duke marrë parasysh që vendi i tij për më shumë se një vit përballet me luftë.
“Për mua është një projekt shumë i rëndësishëm pasi po flasim për historinë moderne të vendeve tona. Janë problemet e njëjta gjithandej. Luftohet për pavarësi. Në këtë projekt ngrehim shumë çështje e dhe shumë pyetje”.
“Negotiating peace” pas një reprize në Prishtinë të enjten, do të udhëtojë nëpër disa qytete evropiane që të përballë publikun me negociata shpesh absurde, deri në pikën sa vihet në dyshim vullneti për paqe i vetë atyre që negociojnë për të.