Euro 2024

Thon: S’kam besuar që Gjermania do ta kishte këtë formë

Olaf Thon

Rezultatet pozitive që i treguan në dy ndeshjet e para, kanë bërë që Gjermania të jetë favorite për ta fituar kampionatin Evropian “Gjermania 2024”.

Në ndeshjen e parë të grupit A, e mposhtën thellë 5:1, Skocinë, ndërsa me Hungarinë arritën fitore me rezultat 2:0. Gjermanët po cilësohen edhe për lojë të mirë nën drejtimin e përzgjedhësit Julian Nagelsmann.

Të shtunën ish-mesfushori i Gjermanisë Olaf Thon në një intervistë për “Reuters” ka thënë se nuk e kishte menduar formën në të cilën është duke kaluar Gjermania aktualisht.

“Vitin e kaluar, unë do të kisha parashikuar që Gjermania nuk do të arrinte shumë larg, por bazuar në ndeshjet e fazës së grupeve dhe paraqitjet e skuadrave të tjera të mira si Spanja dhe Franca, do të mendoja se mund të përballemi me to.

Ne kemi një avantazh në shtëpi, me tifozët si lojtari i 12-të, dhe tani, besoj se gjithçka është e mundur për Gjermaninë. Ne mund ta fitojmë titullin”, u shpreh Thon.

Gjermania ishte përfaqësuesja e parë që kaloi në raundin nokaut. Ndeshjen e fundit në grup e kanë ndaj Zvicrës të dielën.