Dortmund, 30 qershor – Fitorja e parë e Gjermanisë në fazën nokaut të ngjarjeve të mëdha në tetë vjetët e fundit do të bëjë që pritjet e tifozëve për sukses maksimal në Euro 2024 të rriten. Por lojtarët nuk do të ndiejnë presioni, ka thënë selektori i Gjermanisë, Julian Nagelsmann.
Gjermania ka shkëlqyer në fillimin e ndeshjes ndaj Danimarkës, të cilën e fitoi 2:0, të shtunën. Me fitore, nikoqirja e Euro 2024 bëri vend në çerekfinale. Nagelsmann ka theksuar se 20 minutat e parë ishin më të mirët në pjesën e deritashme të Evropianit.
Por më pas ndeshja mori kahe dramatike dhe Gjermania ruajti fokusin për të bërë vend në mesin e tetë përfaqësueseve më të mira.
“Mendoj se nuk kemi më shumë presion se zakonisht”, ka thënë Nagelsmann. “Mendoj se tifozët e po ashtu pritjet e tifozëve, janë shtytje e madhe për ne. Ne mund të përballemi me presionin. Për mua është privilegj, ndërsa ne u themi edhe lojtarëve që të luash një ndeshje futbolli nën presion është privilegj. Të gjithë lojtarët janë mësuar të përballen me këtë, kështu që nuk është problem”, ka shtuar selektori gjerman.
Fitorja e Gjermanisë ka mundur të jetë edhe më e thellë. Portieri danez, Kasper Schmeichel bëri pritje vendimtare, ndërsa u humbën edhe raste të mira nga gjermanët. Në pjesën e parë ndeshja u ndërpre për shumë minuta për shkak të motit të ligë.
Mbrojtësi danez, Joachim Andersen, ishte vendimtar në pjesën e dytë. Ai mendoi se kaloi në epërsi Danimarkën, por goli u anulua për pozitë jashtë loje. Më pas Andersen shkaktoi penallti dhe Gjermania kaloi në avantazh 1:0 në minutën e 53-të.
Të dy vendimet kanë ngjallur reagime, sidomos ai për ofsajd. Lojtarët ishin thuajse në një vijë. Por edhe penalltia nuk ishte shumë bindëse.
“E kuptoj që danezët janë të zemëruar për vendimin për penallti. Ishte vendim i ashpër, por rregullat janë të tilla. Andersen vetëm vrapoi, nuk e bëri me qëllim, por rregulli është ashtu. Unë po ashtu do të isha i zemëruar nëse vendimi do të ishte ndryshe. Por do të duhej të pranoja rregullin”, ka thënë selektori gjerman.