“Respekt po, frikë jo”, shkruan në hyrje të shkrimit të gjatë të gazetës së madhe italiane, La Gazzetta dello Sport, kushtuar Shqipërisë para përballjes ndaj Italisë në hapje të Evropianit “Gjermania 2024”.
Ndeshja në mes të Shqipërisë dhe Italisë luhet të shtunën në Dortmund, në ditën e dytë të Evropianit. Të hënën gazeta e madhe italiane ka bërë një analizë se si funksionon Shqipëria e Sylvinhos.
“Nëse do të kishim frikë nga Shqipëria, mund të shmangnim udhëtimin në Gjermani për Kampionatin Evropian”, vazhdon shkrimi.
Tutje shkruan se Italia edhe si favorite ka për detyrim fitoren ndaj Shqipërisë. Por Shqipërinë, gazeta italiane e paraqet kombëtare të rrezikshme. “Një kombëtare e rrezikshme për t’u trajtuar me kujdes, por e 65-ta në renditjen e fundit të FIFA-s, ku Italia është e dhjeta. 55 pozita diferencë për të mjaftuar për të besuar se kampionia e Evropës është favorite”, vazhdon shkrimi i gazetës italiane.
“La Gazzetta dello Sport” ka përmendur emrin e Kristjan Asllanit dhe Ylber Ramadanit duke i cilësuar si motorët e Shqipërisë, ndërsa sulmuesin Armando Broja si shënues i mirë i golave. Ramadani dhe Asllani bëjnë karrierë në Serie A, kurse Broja në Premier League.