Euro 2024

Gjermania gati për festë futbolli

Gjermania - Euro 2024 - Evropian

Me ndeshjen Gjermani – Skoci fillon Kampionati Evropian i futbollit. Ndeshja hapëse e “Euro 2024” zhvillohet të premten prej orës 21:00 në Munih. Është kjo ndeshja e vetme në ditën e parë të edicionit të 17-të të kampionatit kontinental.

Gati tre milionë tifozë pritet të udhëtojnë nga vendet tjera për në Gjermani gjatë muajit të Evropianit.

Stadiumet do të jenë të mbushura, ndërsa spektakli i futbollit është i garantuar. Në zonat e tifozëve pritet të jenë pjesëmarrës rreth 12 milionë persona.

Kjo kërkon angazhim maksimal nga organet e sigurisë në Gjermani. Pushim nuk do të ketë për policët gjermanë, ndërsa brengat e sigurisë sa shkojnë e rriten. Ka drojë për përleshje mes huliganëve nga vende të ndryshme, por edhe për sulme për motive të tjera. Autoritetet gjermane dhe UEFA thonë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për një evropian shembullor.

Për dallim nga Botërorët e fundit, Gjermania nuk është dashur të investojë në infrastrukturë. Të gjitha dhjetë stadiumet i kishte të gatshme dhe në asnjërin prej tyre nuk janë bërë investime të mëdha.
Gjermania është në mesin e favoriteve për ta fituar Evropianin, së bashku me Anglinë, Francën, Spanjën, Portugalinë e përfaqësuese tjera të mëdha.

Për shumë lojtarë yje, si Cristiano Ronaldo e Luka Modriq, Evropiani në Gjermani pritet të jetë ngjarja e fundit e madhe. Ndërkohë shumë të rinj shpresojnë të dalin në skenë.

Suksesin në Gjermani e kërkon edhe Shqipëria, që për herë të dytë paraqitet në Kampionat Evropian. Kuqezinjtë megjithatë i pret sfidë e madhe. Do të përballet me tri prej pretendenteve, Italinë, Kroacinë e Spanjën. Rreth 50 mijë tifozë pritet t’i ketë Shqipëria ndaj Italisë. Shifër e përafërt pritet edhe në ndeshjet tjera të kuqezinjtë, falë komunitetit të madh shqiptar në Gjermani.

Shqipëria ka pasur fazë të suksesshme përgatitore dhe ndeshjen e parë e luan të shtunën prej orës 21:00 ndaj Italisë.

Të shtunën luan edhe Zvicra, ku Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, vazhdojnë të jenë lojtarët kryesorë. Te

Zvicra shpresojnë në sukses, por të tjerët nuk u japin shumë gjasa.

Evropiani shpesh ka ofruar edhe rezultate e fitues befasues. Mbetet të shihet pas një muaji se si do të jetë në Gjermani.

Për një muaj tema kryesore në Evropë do të jetë futbolli. 

Festa e futbollit mund të fillojë.