Euro 2024

Fitore 1:0 por shumë e ëmbël e Anglisë

Anglia

Anglia nuk shfaqi ndeshjen më të mirë, por megjithatë ia doli ta nisë me fitore paraqitjen në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”.

Të dielën mbrëma në stadiumin e Schalkes në Gelsenkirchen, Anglia fitoi 1:0 ndaj Serbisë. Ndeshja i takoi Grupit C të Euro 2024. Anglia tani udhëheq në grup me tri pikë. Danimarka e Sllovenia i kanë nga një pikë ndërsa Serbia është e fundit pa pikë.

Sfida u vendos në minutën e 13-të. Pas një krosimi nga krahu i djathtë të Bukayo Sakas, Jude Bellingham u shkëput në zonë dhe goditi saktë e fuqishëm me kokë.

Shifrat më nuk ndryshuan. Në pjesën e parë anglezët kanë shfaqur dukshëm më tepër se kundërshtarët, por pa rrezikuar shpesh.

Pjesa e dytë ishte më e vështirë për Anglinë. Lojtarët e Serbisë janë angazhuar për të gjetur golin e barazimit, por pa sukses. Sërish rastin më të mirë e kishin anglezët. Në mesin e pjesës së dytë Harry Kane goditi me kokë. Topi i prekur nga portieri i Serbisë shkoi në traversë e më pas u kthye në fushë. Deri në fund anglezët ia dolën të mbajnë epërsinë, ndërsa serbët kanë rrezikuar në dy-tri raste.

Ka pasur shumë zhvillime gjatë ditës lidhur me këtë ndeshje. Fillimisht kishte një përleshje në Gelsenkirchen, ku ishin të përfshirë huliganë serbë e anglezë, ndërsa dyshohet se të përfshirë ishin edhe shqiptarët.

Huliganët serbë më pas kanë djegur një flamur shqiptar në zonën ku kanë qëndruar. Rrugës për në stadium huliganët serbë kanë larguar një flamur shqiptar, që ishte i vendosur përkrah flamujve të vendeve tjera pjesëmarrëse në Euro 2024.

Në stadium janë shfaqur shumë flamuj me përkrahje provokuese, përkatësisht me flamurin e Serbisë mbi hartën e Kosovës dhe me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.

Gjatë ditës ka pasur edhe thirrje anti-shqiptare nga huliganët e Serbisë. Por ata në fund janë larguar me kokën poshtë nga stadiumi. Festa u takoi anglezëve, por jo vetëm atyre.

Lexo përditësimet tjera
Jude Bellingham - Angli

Serbi - Angli 0:1