COSMO

Beteja për mbeturinat

Gjendja si ajo e javës së shkuar është rezultat i betejës së vazhdueshme mes pushtetit komunal të Prishtinës dhe kompanisë regjionale “Pastrimi”, për kontrollin e këtij shërbimi. Drejtuesit e Prishtinës insistojnë se ndërmarrja “Pastrimi” nuk ka kapacitete të mjaftueshme për grumbullim të mbeturinave. Ndërsa përfaqësues të kompanisë thonë se ata janë të vetmit që mund të përballojnë këtë shërbim, porse mospagesa e borxhit prej 2.7 milionë eurosh nga Komuna ka vështirësuar operimin e saj

Kontejnerët e stërmbushur me mbeturina kanë qenë imazhi kryesor i kryeqytetit javën e fundit. Bërlloku që zuri vend edhe jashtë perimetrit të zonës për hedhjen e tij nxiti reagimin e qytetarëve e po ashtu shpërfaqi papërgjegjësinë e institucioneve për të garantuar ofrimin e këtij shërbimi.

Gjendja si ajo e javës së shkuar është rezultat i betejës së vazhdueshme mes pushtetit komunal të Prishtinës dhe kompanisë regjionale “Pastrimi”, për kontrollin e këtij shërbimi. Drejtuesit e Prishtinës insistojnë se ndërmarrja “Pastrimi” nuk ka kapacitete të mjaftueshme për grumbullim të mbeturinave. Ndërsa përfaqësues të kompanisë thonë se ata janë të vetmit që mund të përballojnë këtë shërbim, porse mospagesa e borxhit prej 2.7 milionë eurosh nga Komuna ka vështirësuar operimin e saj.

“Mjafton vetëm ky 2.7 milionë euro borxh t'i jepet ndërmarrjes, as nuk po duam të jemi barrë e Komunës, as nuk po duam të jemi barrë e taksapaguesve të qytetarëve. Nuk jemi të interesuar për një gjë të tillë, nuk kemi nevojë, sepse me 2.7 milionë euro sa janë paratë tona, sepse ne po i kërkojmë paratë, që kemi kryer shërbimin dhe me këto mjete ne i kryejmë të gjitha borxhet dhe i kthejmë në zero. Edhe me paga nuk kemi telashe e me shërbim edhe më hiç. Ne kemi operuar me njëzet kamionë, e në plan operativ i kemi pasur 18, shto edhe 5 kamionë të biznesit”, ka thënë Petrit Reçica, kryeshef i ndërmarrjes “Pastrimi”.

Sherri mes pushtetit dhe kompanisë ka përshkallëzuar qëkur është bërë plotësim-ndryshimi i Rregullores për menaxhimin e mbeturinave, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar në asamblenë komunale. Me rregulloren e re, që u bë me inicimin e PDK-së dhe me mbështetjen e LVV-së, arkëtimi i faturave për banorët e kryeqytetit iu kthye kompanisë “Pastrimi”, e të cilën e aprovoi edhe Ministria e Mjedisit, duke e konsideruar në harmoni me Ligjin për mbeturinat. Por me këtë nuk u pajtua pushteti i Prishtinës. Drejtues të saj vendosën që Rregulloren për menaxhimin e mbeturinave ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se ajo si një akt nënligjor bie ndesh edhe me Ligjin për konkurrencën, përkatësisht ua mohon të drejtën për pjesëmarrje operatorëve të tjerë.

“Në fund të vitit 2024 kemi shpallur një procedurë tenderimi, ku Prishtinën e kemi ndarë në 5 zona plus 1 për zonat rurale dhe donim që të operonim me 6 kompani, duke e përfshirë këtu edhe kompaninë ‘Pastrimi’, që t'i kemi së paku 50 kamionë në qarkullim në kryeqytet, që shërbimi pastaj të ofrohet prej orës 3 deri në orën 6:30 të mëngjesit, që mos të kemi tollovi në qytet. Mirëpo e tërë kjo është refuzuar nga ndërmarrja ‘Pastrimi’, është bërë një ankesë në OSHP dhe procedura e tenderimit ka përfunduar në OSHP, ku kemi edhe zvarritje të këtij procesi. Pastaj është iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht nga asamblisti Leotrim Retkoceri plotësim-ndryshimi i kësaj rregulloreje dhe kjo vetëm për ta sjellë një katrahurë në kryeqytet”, është shprehur Bekim Brestovci, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

Fillimi i përplasjeve të mëdha Komunë - ndërmarrje

Në fund të dhjetorit 2024, Komuna e Prishtinës njoftoi qytetarët se prej 1 janarit 2025 do të detyrohen që tarifën e mbeturinave ta kryejnë në kompaninë “Pastrimi”, sipas rregullores së re. Mirëpo, dy muaj më pas Komuna u bë pishman për këtë rregullore, për çka njoftuan për pezullimin e saj.

Madje më 3 shkurt Rama shpalli gjendje të jashtëzakonshme kur i skadoi kontrata operatorit “Alko Impex”, që për një vit i grumbulloi mbeturinat e qendrës së qytetit.

Ai e pati vlerësuar të qëlluar shkarkimin e Ilirik Musliut nga drejtori i Shërbimeve Publike, më 2 shkurt të vitit 2024, dhe caktimin e Bekim Brestovcit në vend të tij.

“Prej që ka ardhur Bekim Brestovci gjendja është përmirësuar. Por, dikujt si duket i ka penguar LVV-ja dhe PDK-ja me rregullore e kanë ndaluar. Gjendja kësisoj po përkeqësohet, gjendjen emergjente që e kemi shpallur do ta vazhdojmë edhe tash”, pati thënë më 3 shkurt të këtij viti kryetari i Komunës, Përparim Rama.

Këto veprime të kryetarit i pati kundërshtuar kryeshefi ekzekutiv i “Pastrimit”, Petrit Reçica, i cili deklaroi që synime të Ramës kanë qenë manipulimi dhe hapja e rrugëve për dhënie të tenderëve miqve të tij.

Sipas Reçicës, e gjithë kjo shfaqje nga Komuna për qëllim ka bllokimin e shërbimeve publike dhe krijimin e kaosit në qytet përmes mbeturinave.

“Për ta bërë më të qartë për të gjithë qytetarët po duket se është duke u përgatitur e njëjta skemë siç është përdorur në shkurtin e vitit 2024, ku është negociuar kompania private e cila duket se mund të jetë përsëri e njëjta. Përmes këtyre veprimeve të kundërligjshme fillimisht u fut në lojë një kompani private, pastaj u hap një tender i ndarë në pesë lote në vlerë 16.5 milionë euro, me kritere të përgatitura sipas qejfit për të favorizuar emrat e dëshiruar. Ky tender përfundoi i bllokuar në OSHP, duke dëshmuar manipulimin e procesit, favorizimet e operatorëve të caktuar si dhe tendencën për ta përjashtuar dhe falimentuar KRM ‘Pastrimi’. Këtë herë duket qartë që synimi është hapja e një tenderi me negocim, ku edhe ekzistojnë dyshime se fituesi është i paracaktuar, kompania që tradicionalisht ka lidhje me pushtetin komunal”, pati reaguar Reçica po më 3 shkurt.

Hutimi e qytetarëve

Përderisa vazhdojnë akuzat e kundërakuzat midis kryetarit të Prishtinës e kryeshefit të “Pastrimit”, qytetarët janë në dilemë nëse pagesat duhet t’i kryejnë te “Pastrimi” apo te Komuna. Kompania ka paralajmëruar borxhlinjtë se do t’i dërgojë te përmbaruesi, e Komuna është në pritje të interpretimit që çështja e pagesës të qartësohet pas opinionit të Kushtetueses.

“Unë faturën e zbres prej faqes së Komunës, domethënë hyj në faqe të Komunës, ku thotë fatura e pastrimit, e zbresim dhe në bazë të saj e paguaj. Tash që është bërë ky lloj pështjellimi, këta 2 muajt e fundit nuk i kam paguar, se nuk e di ende”, ka thënë qytetari Ferit Fazliu. 

Por përtej çështjes së faturimit, qytetarët duan të dinë nëse nuk do të ketë më probleme në grumbullim. E kjo sfidë, sipas kryeshefit Petrit Reçica, tejkalohet vetëm nëse Komuna i shlyen detyrimet e veta. 

“Ne e kemi thanë, kemi e-maile zyrtare për këtë punë, që edhe do t'i publikojmë ndoshta, nëse është e nevojshme. Në vazhdimësi kemi kërkuar dhe madje jo më larg se javën e kaluar, ndoshta dhjetë ditë ose pesëmbëdhjetë ditë, kemi dërguar një e-mail ku e kemi njoftuar Komunën: paguani borxhet, sepse po ballafaqohemi me problemin e pagesave me deponi dhe rrezikojmë që të ndalet deponia. Fatmirësisht e kemi arritur një marrëveshje me deponi në dy muaj. Po ashtu kemi arritur edhe një marrëveshje me naftën, po marrëveshje që sasia ka qenë shumë e limituar dhe u harxhua shumë shpejt. Kemi telashe me paga. Ne pagat e sektorit operativ, të punëtorëve që kryejnë punën në terren, i kemi ekzekutuar, mirëpo pjesën tjetër nuk kemi mbërritur ende ta ekzekutojmë dhe një pjesë e vogël e pagave ka mbetur ende pa u ekzekutuar. Andaj, këto probleme, këto janë tri elementet kyç që ne operojmë”, ka thënë kryeshefi i “Pastrimit”, Reçica.

Reçica thotë se problemi i Komunës me ta për sa i përket borxhit ka nisur qysh më 2024, e që sipas tij janë dëmtuar me mbi 3.5 milionë euro.

Por këtë akuzë drejtori Bekim Brestovci e ka quajtur të pavërtetë, teksa thotë se i kanë bërë ftesë kryeshefit të ndërmarrjes “Pastrimi” që të gjejnë zgjidhje edhe gjatë kohës sa janë në kontest gjyqësor.

“Ne e kemi ftuar ndërmarrjen ‘Pastrimi’ që përderisa të jemi në kontekst gjyqësor dhe përderisa të mos kemi një vendim nga Gjykata Kushtetuese apo Gjykata Supreme që ndërmarrja ‘Pastrimi’ të futet në kontratën e Komunës në Prishtinë, siç ka qenë deri në fundin e 2024-tës, që ta ketë një pagesë të sigurt mujore, siç e ka pasur në vitin 2024 dhe të mos futet në këto aventura, të cilat e kemi ditur paraprakisht që janë qëllimkëqija dhe që për qëllim e kanë të gjejnë një justifikim për të mos ofruar shërbim ndaj qytetarëve të kryeqytetit, e pikërisht tani kur jemi në një fazë pothuajse paraelektorale për zgjedhjet lokale. Kështu që kjo krejt është një tendencë politike, por po them me përgjegjësi shumë të plotë që është një papërgjegjësi e tyre, një veprim shumë dashakeqës, mirëpo nuk do të ketë asnjë efekt, sepse ne do t’i përdorim të gjitha mjetet alternative për të siguruar që kryeqyteti ta marrë shërbimin ndaj qytetarëve dhe të kemi një grumbullim të mbeturinave me mundësitë alternative që i kemi gjatë këtyre ditëve, po edhe me mundësitë alternative që do t’i krijojmë pastaj, duke filluar nga java që vjen”, ka deklaruar drejtori i Shërbimeve Publike në Komunë, Brestovci.

Kritikat e Ramës dhe ndaj Ramës

Të mërkurën që shkoi kryetari Përparim Rama vendimin e “Pastrimit” që të ndërpresë grumbullimin e mbeturinave e quajti sabotazh. Për këtë ai njoftoi se Komuna do të fillojë largimin e mbeturinave duke i shfrytëzuar të gjithë mekanizmat që i kanë në dispozicion.

“Komuna e Prishtinës po përballet me një sabotim të hapur nga ndërmarrja ‘Pastrimi’, një kompani publike që, nën drejtimin aktual, është shndërruar në simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësisë”, ka shkruar Rama.

Por këtë qëndrim të Ramës e kritikuan përfaqësues të PDK-së në Prishtinë.

“Realisht ajo çka pamë dje është veç njëfarë inskenimi i situatës. Ne sot jemi dëshmitarë të gjithë që gjendja në mëngjes ka qenë prapë e njëjtë. I kemi pasur dy-tri lokacione në qendër, pra në zonën urbane të cilat janë pastruar, ndërsa lagjet e tjera janë plot, janë deponi urbane për momentin. Ndërsa ju them se nuk ka askush tjetër kapacitete për të kryer këtë shërbim. Është ndërmarrja ‘Pastrimi’ në këtë rast e është vetë Komuna e Prishtinës që i ka ato kapacitete. Ndërsa Komuna e Prishtinës i ka kamionët të cilit i ka blerë, ka punëtorë të cilët i ka në shërbim edhe të cilët duhet t’i shfrytëzojë edhe ta përfundojë. E kjo pjesa e sabotimeve, bllokadave, e këto arsyetime koti, ne tashmë veç jemi bërë imunë dhe çdo ditë po i dëgjojmë, për fat të keq. Po unë prapë po them se kryeqyteti nuk ka nevojë për arsyetime, nuk ka nevojë për komente të tilla, të cilat me të vërtetë tanimë veç iu ka dalë dhe boja, për fatin e keq”, ka deklaruar Ilirik Musliu, nënkryetar i PDK-së në Prishtinë.

Të jashtëligjshme e konsideruan futjen e një operatori tjetër privat edhe përfaqësues tjerë të opozitës.

Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të VV-së në kryeqytet, thotë se marrja e masave nga ana e Komunës është e mirë nëse flitet për shëndetin e qytetarëve, mirëpo nuk e kanë të qartë se në çfarë bazash ligjore një kompani tjetër mund të operojë përderisa nuk ka kontratë për këtë shërbim.

“Në aspektin praktik është shumë mirë që u largua një pjesë e atyre mbeturinave, është mirë që të kthehet sadopak njëlloj normaliteti. Ndërsa, në aspektin ligjor nuk e kam të qartë se me çfarë kontrate ata operatorë ekonomikë privatë, që e bënë grumbullimin e mbeturinave dje, janë angazhuar në kryeqytet. Mesa e di unë, nuk ka një kontratë valide në mes të Komunës dhe ndonjë operatori privat, e për më tepër kjo është edhe jashtëligjshme, sepse sipas Rregullores për grumbullimin e mbeturinave që është në fuqi, e vetmja kompani që është përgjegjëse, kompetente për grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet është ‘Pastrimi’. Mirëpo, mos të keqkuptohemi, është mirë që janë larguar ato mbeturina, ndërsa këtë aspektin ligjor mbetet që të na e sqarojë ekzekutivi, konkretisht Komuna”, ka thënë Sveçla.

Përfshirjen e një operatori tjetër për kryerjen e shërbimit për grumbullimin e mbeturinave e sheh të drejtë drejtori Brestovci. Ai e akuzon “Pastrimin” se nuk ka pranuar që të përtërijë kontratën me Komunën për kryerjen e këtij shërbimi.

“Përkundër faktit që ne e kemi ftuar dy herë ndërmarrjen ‘Pastrimi’, ajo thirret në një plotësim-ndryshim të Rregullores për menaxhimin e mbeturinave të votuar në asamblenë komunale, e cila ndërmarrjen ‘Pastrimi’ e bën si të vetmen përgjegjëse për grumbullimin e mbeturinave. Mirëpo, ne themi që ne jemi organe shtetërore dhe në asnjë formë nuk duhet të lejojmë që një akt nënligjor të bjerë në kundërshtim me ligjet. Për atë edhe iu kemi adresuar Gjykatës Kushtetuese dhe ne nuk do të biem peng i kurrfarë ndryshimi të Rregullores për menaxhimin e mbeturinave, në mënyrë që cenohet shëndeti publik. Do të thotë se ne do t’i bëjmë të gjitha veprimet tona konform mundësive ligjore që i kemi, asnjëherë duke e shkelur ligjin, mirëpo prapë po them nuk mund ta respektojmë një plotësim-ndryshim të një rregulloreje e cila është në kundërshtim me ligjin”, ka shtuar drejtori komunal , Brestovci.

Në kompaninë “Pastrimi” paralajmëruan që do të ndjekin çdo rrugë ligjore në qoftë se Komuna tenton të angazhojë një operator tjetër për menaxhimin e mbeturinave.