Botë

Zelensky shfaqet me video në qytetin që Putini pretendoi se Rusia e kishte “çliruar”

Zelensky

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është paraqitur të premten me një videomesazh nga Kupyansku – një prej pikave më të ashpra të frontit – ku ka lavdëruar forcat ukrainase për rezistencën dhe sukseset e tyre në qytet.

Kjo paraqitje vjen në të njëjtën ditë kur Garda Kombëtare e Ukrainës bëri të ditur se Korpusi i 2-të i brigadës “Hartiya” ka kryer kundërsulm të suksesshëm në veri të Kupyanskut, duke kundërshtuar drejtpërdrejt pretendimet e Moskës se qyteti ishte marrë nën kontroll nga rusët.

“Jam sot në frontin e Kupyanskut me ushtarët tanë që po arrijnë rezultate për Ukrainën. Rusët kanë folur shumë për Kupyanskun, e dimë këtë. Unë isha atje dhe i përgëzova djemtë. I falënderoj të gjitha njësitë, secilin që lufton këtu, secilin që po e shkatërron pushtuesin”, ka thënë Zelensky, duke folur pranë një tabele hyrëse të qytetit të shpuar nga plumbat dhe të rrethuar me rrjeta kundër dronëve.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të arrihen rezultate në terren, në mënyrë që Ukraina të ketë pozita të forta në diplomaci. Kështu funksionon: pozitat e forta brenda vendit nënkuptojnë pozita të forta në negociatat për t’i dhënë fund luftës. Jam krenar për çdo ushtar”, shtoi ai.

VIDEO:

Më 20 nëntor, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, Valery Gerasimov, kishte deklaruar se Rusia e kishte “çliruar” Kupyanskun në rajonin e Kharkivit – pretendim që ushtria ukrainase e mohoi menjëherë.

Por sot Korpusi i 2-të “Hartiya” njoftoi se kishte ndërmarrë kundërsulm vendimtar pranë Kupyanskut, pasi situata në zonë ishte bërë kritike në shtator. Sipas tyre, njësitë e grupit “kërkim-goditje” kanë arritur deri në lumin Oskil në veri të qytetit, duke “bllokuar plotësisht rrugët tokësore” që forcat ruse përdornin për t’iu afruar Kupyanskut.

Gjithashtu u raportua se fshatrat Kindrashivka dhe Radkivka, si edhe zonat përreth, janë çliruar. Nga 22 shtatori deri më 12 dhjetor, sipas të dhënave të korpusit, 1,027 ushtarë rusë janë vrarë, 291 janë plagosur dhe 13 janë kapur.

“Luftimet në qendrën e qytetit vazhdojnë ende”, thuhej në komunikatë.

Projektit i pavarur ukrainas DeepState, i cili monitoron vijat e frontit, njoftoi se forcat ukrainase kanë rrethuar trupat ruse në Kupyansk dhe kanë pastruar zonat veriperëndimore të qytetit.

Pse është i rëndësishëm Kupyansku?

Kupyansku është pikë strategjike në rajonin e Kharkivit, pasi ndodhet në kryqëzimin e korridoreve të rëndësishme të transportit, përfshirë rrjetin hekurudhor që lidh Rusinë me Ukrainën lindore dhe jugore.

Qyteti shtrihet përgjatë lumit Oskil, që shërben si barrierë natyrore. Kontrolli i Kupyanskut nënkupton kontroll të linjave hekurudhore dhe rrugëve që çojnë drejt Iziumit, Svatovos dhe më tej drejt Donbasit – duke e bërë atë një pikë kyçe si për ofensivë, ashtu edhe për mbrojtje.

Rusia e pushtoi qytetin kur nisi luftën në shkurt 2022, por u rimor nga forcat ukrainase disa muaj më vonë.

Ndërkohë, mediat kanë raportuar se plani më i fundit i paqes i presidentit amerikan Donald Trump mund të parashohë një marrëveshje shkëmbimi territoresh – sipas së cilës Rusia do të dorëzonte zona të vogla të kontrolluara në Kharkiv, Dnipropetrovsk dhe Sumy, në këmbim të pjesëve të Donbasit që mbahen nga Ukraina.