Botë

Zelensky insiston që të takohet me Putinin

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë në bisedimet për Ukrainën këtë javë vetëm nëse presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është gjithashtu atje, ka thënë të martën një ndihmës i liderit ukrainas.

Presidenti i SHB-së, Donald Trump, ka përmendur të hënën mundësinë që të marrë pjesë në takimin e propozuar të së enjtes në Stamboll, i cili është bërë fokusi i përpjekjeve të tij për t'i dhënë fund konfliktit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, raporton Reuters.

Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë përpjekur të tregojnë se po punojnë drejt paqes pasi Trumpi i dha përparësi përfundimit të luftës, por ata ende nuk kanë rënë dakord për ndonjë rrugë të qartë.

Putini ka propozuar të dielën bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën, pasi ka injoruar propozimin ukrainas për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor. Trumpi më pas i ka kërkuar publikisht Zelenskyt që të pranonte.

Udhëheqësi ukrainas ka shkruar të dielën vonë në X, pas kërkesës së Trumpit, se do të priste Putinin në Stamboll të enjten, megjithëse shefi i Kremlinit nuk e kishte përmendur kurrë se kishte ndërmend të udhëtonte vetë.

“Presidenti Zelensky nuk do të takohet me asnjë përfaqësues tjetër rus në Stamboll, përveç Putinit”, ka thënë për Reuters këshilltari i presidentit ukrainas, Mykhailo Podolyak.

Shefi i tij i shtabit, Andriy Yermak, ka deklaruar se udhëtimi i Zelensky në Turqi tregon se Kievi është gati për bisedime, por përsëriti qëndrimin e Ukrainës se çdo negociatë duhet të vijë pas një armëpushimi.

"Pozicioni ynë është shumë parimor dhe shumë i fortë”, ka thënë Yermak në një konferencë në Kopenhagë.

Moska nuk ka bërë të ditur nëse Putini do të udhëtojë në Turqi.

"Pala ruse vazhdon të përgatitet për negociatat”, u ka thënë gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov kur është pyetur për bisedimet dhe kërkesën e Zelenskyt që Putini të marrë pjesë. 

Putini ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Trumpi u ka kërkuar dy vendeve t'i japin fund luftës, duke kërcënuar se SHBA-ja do të largohet nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje nëse nuk ka shenja të qarta përparimi së shpejti.